Shpenzimet e Bankës së Shqipërisë nuk ndalen, pavarësisht kritikave të
forta në media nga opozita. Kësaj here, plani i BSH synon blerjen e pesë
fuoristradave, tre prej të cilave do të jenë të blinduara dhe shërbejnë
për transferimin e parave të bankës, kurse dy të tjerat do të jenë për
nevojat e stafit.

Në total, banka do të shpenzojë rreth 102 milionë lekë (pra 1 miliard lekë të vjetra), duke shtuar kështu listën e objekteve të blera nga institucioni monetar në shifra të konsiderueshme.

Ndryshe nga herët e tjera, kësaj radhe, Banka e Shqipërisë është treguar transparente për publikimin e njoftimit, ku ndër të tjera thotë se tenderi do të zhvillohet më 10 tetor dhe konsiderohet i hapur, pra ku çdokush ka të drejtë të paraqesë ofertat për 5 mjetet e transportit, tip fuoristradë.

Në njoftim thuhet se Banka e Shqipërisë do të zhvillojë tenderin e hapur kombëtar për “Blerjen e tre automjeteve tip fuoristradë të blinduar, për shoqërimin e fondeve dhe të dy automjeteve tip fuoristradë për nevojat e Bankës së Shqipërisë”.

Te ftesa për ofertat mësohet një tjetër detaj jo pak i rëndësishëm. “Dokumentet e tenderit mund të tërhiqen pranë Sektorit të Prokurimit, të Departamentit të Administrimit, të Bankës së Shqipërisë, me adresë: ish-hotel ‘Dajti’, Blv. “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë. Sipas këtij njoftimi kuptohet se BSH ka ngritur zyra tek ish-hotel “Dajti”, të blera rreth dy vjet më parë për 40 milionë dollarë, ku mesa duket banka paska avancuar me punimet, ndonëse me sy të lirë nuk duket asgjë e re vetëm skela të instaluara.

Sa i takon tërheqjes së dokumenteve, ato mund të bëhen vetëm pasi subjekti i interesuar të ketë bërë paraprakisht pagesën e pakthyeshme prej 2 mijë lekësh, në sektorin e financës të Bankës së Shqipërisë, që ndodhet në adresën “Rruga e Dibrës, Kompleksi ‘Halili’, Kulla B”, thotë banka.

Shpenzimet e bankës kanë prekur majat dhe tashmë janë kthyer në objekt diskutimi në opinionin publik. Në fillim ishte opozita që zbardhi një pjesë të dosjes me shpenzimet, të cilat për vite me radhë ishin konsideruar tabu dhe të “paprekshme” për publikun.

Të dhënat zyrtare nga vetë bilanci zyrtar i bankës tregojnë se shpenzimet e personelit në Bankën e Shqipërisë janë rritur me gati 40 për qind krahasuar me vitin 2009, ndërkohë që shpenzimet administrative janë dyfishuar. Për vitin 2012 janë planifikuar 11 milionë lekë të reja në formë kompensimesh ushqimi në BSH, kurse për aktivitete sportive janë planifikuar 37 mijë dollarë, ku në vitin 2009 ishin shpenzuar mbi 350 mijë dollarë. Këto si dhe të tjera shpenzime konsiderohen të dyshimta nga ana e opozitës. Vetëm për katër ditë aktivitet, ekipi i volejbollit të Bankës së Shqipërisë shpenzoi qindra mijë dollarë, pak më shumë se sa buxheti i gjithë vitit të ekipit kombëtar të volejbollit për femra.

Shpenzimet janë të larta edhe për vizita, udhëtime, dieta dhe pritjet e ceremonive të ndryshme.

Sa i takon këtyre kritikave, Fullani reagoi një ditë më pas.

“Duhet të jemi shumë korrekt dhe të mos biem në rrjetën e shpifjeve. Ne nuk shpenzojmë, por investojmë në njeriun, në elementin më të rëndësishëm të tij që është profesionalizmi. Duhet të kemi të qartë se nuk mund të kemi një institucion të pavarur, nëse nuk ke një punonjës profesionist”, deklaroi Fullani. Po deri ku shkon pavarësia e kërkuar nga guvernatori? Qeveria i ka dhënë të drejtën absolute të veprojë e lirë në ndjekjen e politikave monetare, ndërsa për komitetet e stafit janë krijuar me rregulloren e caktuar nga vetë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.

Shpenzimet e personelit në Bankën e Shqipërisë janë rritur me gati 40% krahasuar me vitin 2009.

Gazeta “Shqip”

Top Channel