Në Nder të Hebrejve

05/09/2012 20:20

Në kuadër të Presidencës të Këshillit Europës, në Tiranë po organizohet një work shop “Në Nderim të Hebrejve”. Të pranishëm në aktivitet janë edhe persona që i shpëtuan shfarrosjes dhe trajtimeve çnjerëzore.

Kryeministri Berisha e cilësoi Holokaustin si aktin më barbar të kryer ndër shekuj, ndërsa tha se kjo ngjarje duhet të jetë një mësim për të luftuar racizmin.

“Për mua si kryeministër është një rast shumë i veçantë të sjellim këtë veprimtari në kuadër të KiE-së, pasi ky është institucioni më i vjetër i pasluftës. Ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbarë Evropën”, deklaroi Berisha.

“Ne duhet të kujtohemi për viktimat dhe t’i ndihmojmë ata të rindërtojnë jetën e tyre, të tregojnë historitë e tyre. Duhet ta pyesim veten çdo ditë, a po ndërtojmë një shoqëri me individë kurajozë si ata të cilët po i nderojmë sot? A po rrisim një gjeneratë të re, e cila është imune ndaj apelit që mund të ketë ideologjia raciste? Mendoj se e kemi për detyrë të kujtojmë të kaluarën, por edhe të jemi vigjilentë në të sotmen. Vetëm atëherë mund ta shohim me shpresë dhe konfidencë të ardhmen”, deklaroi Nils Muižnieks, komisioner për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës.

Aktiviteti do të përfshijë ndër të tjera transmetimin e një filmi të Mrika Krasniqit mbi shpëtimin e hebrenjve shqiptarë dhe prezantime të ndryshme mbi historinë e miqësisë shqiptaro-izraelite.

Top Channel