Kukës, gjendet trupi i gruas së zhdukur

05/09/2012 00:00

Gjendet në liqenin e Fierzës, mbi lumin Drin, trupi i 38-vjeçares
Fllanza Rexhmati, e cila u shpall e humbur në mars të këtij viti.

Trupi i mbytur doli në sipërfaqe në rrjetat e një peshkatari, mëngjesin e së martës, ku pas identifikimit, i jepet fund një odiseje të vështirë, si për Policinë e Shtetit, ashtu edhe për familjen.

Gjetja e kufomës në ujë

Një peshkatar nga fshati Mamëz, një 40-vjeçar profesionist i kësaj fushe, ndërsa mblidhte rrjetën e hedhur natën e shkuar, në afërsi të urës së Drinit të Zi, rrëzë qytetit të Kukësit, ka trazuar trupin e një gruaje, e cila, siç kanë pohuar më pas familjarët, i përket Fllanza Rexhmatit, e zhdukur rreth 6 muaj më parë. Peshkatari nga Mamzi, i cili nuk ka dashur të identifikohet, ka thënë se ishte befasuar nga fakti se rrjeta kishte trazuar edhe trupin e një njeriu, gati totalisht të dekompozuar dhe ka njoftuar menjëherë policinë. Në vendngjarje ka shkuar me shpejtësi një grup i gatshëm i komisariatit të Kukësit, të cilët më pas kanë njoftuar edhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, si dhe ekspertë të kriminalistikës për të bërë identifikimin e kufomës.

Identifikimi

Duke u nisur nga një palë këpucë që viktima i ka pasur ende veshur, si dhe nga disa shenja të tjera, konkluzioni i parë ka qenë se trupi i përket seksit femër. Ndërsa, duke u nisur nga fakti që gjatë vitit të fundit Fllanza Rexhmati ka qenë e vetmja grua e shpallur e humbur, janë thirrur familjarët Rexhmati për të identifikuar viktimën. Burri i viktimës, G.Rexhmati si dhe djali i madh 15 vjeç, kanë identifikuar se kufoma i përket Fllanzës. Familjarët nuk kanë dashur të flasin për median, madje ata kanë kërkuar të mos filmohen, ndërsa nga burime konfidenciale mësohet se burri i viktimës ka thënë se është i pikëlluar për çfarë ka ndodhur, por të paktën tani ndihet i lehtësuar, që gjithsesi trupi i saj u gjet, duke mbyllur edhe spekulimet e panumërta lidhur më humbjen e saj.

Vetëmbytje

Nëpërmjet një komunikate të Drejtorisë së Policisë së Qarkut, konfirmohet fakti se “kufoma e gruas u gjet rreth orës 07:00 nga një peshkatar. Menjëherë u informua grupi hetimor dhe pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, kufoma u transportua në morgun e Spitalit Rajonal Kukës, ku nga këqyrja e jashtme e saj, nga veshjet, si dhe nga shenja të veçanta, u arrit të identifikohej nga familjarët si shtetasja Fllanza Rexhamati, vjeç 38”. Sipas policisë, shtetasja e lartpërmendur figuronte e shpallur në kërkim për ‘largim nga banesa’, pasi, më datë, 15 mars 2012 rreth orës 13:30, është larguar nga banesa e saj në drejtim të paditur. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të “Rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit”. “Në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Renda, si dhe me Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, u kryen një sërë veprimesh hetimore, nga të cilat rezultoi se shkaqet e vdekjes së shtetases Fllanza Rexhmati, nuk kanë ardhur nga ushtrimi i dhunës apo e shkaqeve të tjera jonatyrore.

Zhdukja

38-vjeçarja Rexhmati, nënë e 4 fëmijëve, u zhduk nga shtëpia në datën 15 mars 2012 në rrethana shumë misterioze, duke lënë dyshime të ndryshme për adresën e saj dhe shkaqe për spekulime për largim nga banesa me dëshirë. Paraditen e asaj date, ajo ishte parë e shqetësuar nga komshinjtë, ndërsa në mesditë, kur ishte diktuar se mungon, policia kishte gjetur një thikë dhe njolla gjaku, për të cilat u tha, jo zyrtarisht, se kishte qenë gjak bagëtish. Familjarët patën pikasur edhe humbjen e më shumë se 3 milionë lekëve të vjetër, fakt i cili ka shërbyer për të motivuar një vetë sakrifikim apo vetëvrasje të gruas, por që më vonë doli se lekët u gjetën në një vend në shtëpi. Pas këtij fakti, spekulimet shkonin deri aty sa persona të identifikuar tregonin se e kanë parë diku në Bathore, në Tiranë, të tjerë thoshin se e kanë parë në Greqi, e kështu me radhë. Policia, paz zhdukjes, hetoi edhe pistën e mbytjes në liqen, madje organizoi kërkimin në bregun e liqenit për gjetjen e ndonjë shenje, por më kot. Gjetja e kufomës ka qenë krejt e rastësishme dhe ndodhi kur kërkimet për të ndoshta ishin arkivuar.

Top Channel