Deklarimi i të ardhurave

05/09/2012 20:00

Individët që vitin e kaluar i kanë patur të ardhurat bruto më të mëdha se 2 milionë lekë, janë të detyruar që brenda këtij muaji të dorëzojnë tek Tatimet deklaratën personale të të ardhurave.

“Për shkak sepse është hera e parë, të ardhurat e krijuara gjatë vitit 2012 duhet të deklarohen brenda fundit të muajit. Të gjithë individët janë të detyruar të plotësojnë formularin e deklarimit”, ka deklaruar Alfred Rrushaj, zv.ministër i Financave.

Por, ndonëse për ata me të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë deklarimi është i detyrueshëm, për një tjetër kategori qytetarësh me të ardhura nën 1 milionë e 50 mijë lekë në vit ai ofron përfitime.

“Janë disa kategori që përfitojnë nga rimbursimet në shëndetësi, arsim dhe pensionet vullnetare”, ka saktësuar Rrushaj.

Kjo është hera e parë kur Shqipëria tenton të aplikojë deklarimin e të ardhurave personale. Ministria e Financave thotë se për ata që i shmangen detyrimit për të deklaruar do të ketë ndëshkime të rënda.

“Mosdeklarimi nënkupton që individi ka deklaruar se i ka të ardhurat më pak se dy milionë. Nëse gjatë hetimeve del e kundërta, atëherë ka gjoba të rënda”, ka nënvizuar Rrushaj.

Formulari i deklarimit të të ardhurave mund të dorëzohet edhe në mënyrë elektronike, por meqenëse është hera e parë, ata individë që kanë vështirësi në plotësimin e deklaratës mund të kërkojnë ndihmë edhe pranë zyrave tatimore.

Top Channel