Qeveria shqiptare dorëzoi në Bruksel qëndrimin e saj të fundit mbi
përmbushjen e masës kritike të 12 përparësive kyçe, duke marrë një
vlerësim paraprak nga Komisioni Europian.

“Që prej nëntorit, kur le të themi një frymë e re nisi të funksionojë në vend, e në të vërtetë kur shohim 12 prioritetet e se çfarë është zbatuar ndër ato 12 prioritete kyçe, balanca është ekstremisht e mirë, ekstremisht pozitive. Dhe jo vetëm qeveria, por të gjitha partitë, të gjithë aktorët politikë në vend, dhe shoqëria në tërësi mund të gëzohen për çfarë është arritur deri këtu,” tha Stefano Sanino, Drejtor i Përgjithshëm për Zgjerimin në KE.

Pas votimit të disa ligjeve me 3/5, emërimit të Avokatit të Popullit e miratimit të reformës zgjedhore, vendi nuk ka mbyllur ende çështjen e rregullores së parlamentit dhe atë të imuniteteve. Kjo e fundit zuri vendin kryesor edhe në debatin e organizuar nga Qendra e Politikave Europiane në Bruksel.

“Ka disa alternativa në vend për të shtyrë përpara ligjin për heqjen e imunitetit. Siç e dini, mazhoranca ka propozuar edhe një referendum kombëtar, i cili po ashtu është një mjet demokratik në mënyrë që të vijohet përpara. Pra, unë nuk shoh ndonjë mosmarrëveshje. Ata e shohin në mënyra të ndryshme, por kjo nuk do të thotë se palët nuk janë të angazhuara për të luftuar korrupsionin, e për të vendosur masa më të rrepta për të kontrolluar më mirë,” tha ministri i Jashtëm Edmond Panariti.

“Tani ne nuk kemi më kohë të mjaftueshme t’i hyjmë debatit të ndryshimeve kushtetuese gjatë shtatorit. Heqja e imunitetit është diçka  që po e mbajmë si propozim që prej vitit 2003. Ndërsa ndryshimet e tjera kushtetuese që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë mund të diskutohen më vonë,” u shpreh ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.

“Dua të nënvizoj rolin e imunitetit, që edhe për ne është një element i rëndësishëm. Lufta ndaj korrupsionit është një nga fushat ku ne besojmë se nevojitet të bëhen përpjekje dhe kjo do të përbëjë me siguri një përpjekje në drejtimin e duhur. Nëse ne, me shpresë, shohim miratimin e këtij ligji në një mënyrë le të themi jo të sforcuar, por me marrëveshje ndërmjet të gjitha forcavepolitike, atëherë kjo do të përbënte me siguri një hap të rëndësishëm përpara, e shoqëruar nga të gjitha gjërat e tjera që janë bërë por edhe nga përpjekjet që forcat politike po bëjnë në fusha të tjera,” theksoi Sanino.

Komisioni Europian, i cili ka nisur me kohë hartimin e raport-progresit, do të marrë në shqyrtim të dhënat e fundit të dorëzuara nga qeveria shqiptare për t’i përfshirë në dokumentin që publikohet më 12 tetor.

Pergatiti ARTA TOZAJ
 

Top Channel