Që në fëmijëri fillojmë të mendojmë për fustanin e bardhë, për princin e kaltër, për të ftuarit, për muzikën, tortën, unazën dhe rrugicëzën e vogël drejt altarit ku të gjithë sytë janë drejtuar tek nusja dhe babai i saj.

Kalojmë shumë e shumë net duke na zënë gjumi me këto mendime, por kur zgjohemi një ditë, pranë shtratit vajzëror qendron hijshëm fustani i bardhë.

Si pa e kuptuar ka ardhur dita kur do të lidhemi në martesë para zotit, ligjit dhe gjithë shoqërisë.  

Në Shqipëri, akti i martesës mbahet nga punonjësi i zyrës së Gjendjes Civile në bazë të dokumentave të paraqitura. Sipas Kodit të Familjes dhe legjislacionit shqiptar në fuqi, martesa lidhet midis dy bashkëshortëve që kanë mbushur moshën 18 vjeç. Dhjetë ditë pas zyrtarizimit të lidhjes në gjendjen civile bëhet edhe shpallja publike e aktit. Nëse askush nuk do ta kundërshtojë, çifti mund të trashëgohet i qetë.

Martesa ka një traditë të vjetër dhe po aq të vjetra janë edhe disa veprime që vazhdojnë të kryhen dhe të jenë të pranishme në shumë ceremoni. Disa i quajnë tradita, të tjerët bestytni. I tillë është për shembull vetë fustani i bardhë i nusërisë. Thuhet se fustani duhet i bardhë sepse simbolizon pastërtinë dhe virgjërinë e nuses, ose edhe largon shpirtrat e këqinj.

Hedhja e orizit është një tjetër traditë që konsiderohet si shenjë e mirë për begatinë dhe trashëgimin e shpejtë të çiftit.

E pandashme në një dasmë është edhe torta që pritet dhe konsumohet nga çifti. Origjina e këtij zakoni vjen nga romakët e lashtë. Ata besonin se torta krijonte një lidhje të fuqishme mes çiftit nëse konsumohej njëherazi prej tyre. Ëmbëlsia e tortës ishte një ogur i mirë për fillimin e një jete të ëmbël dhe në harmoni. Dhe së fundi në radhë, por jo në rëndësi, është edhe puthja e famshme e çiftit në përfundim të gjithçkaje. Puthja shpreh dashurinë, pasionin dhe përkushtimin e kësaj lidhjeje të re. Në kohët e lashta romane, puthja simbolikisht nënkuptonte “vulën” që i vihej aktit të martesës, kësaj marrëveshjeje të përjetshme të çiftit.  

Top Channel