Pasdite në “TCH”: Shqipëria në flakë

03/09/2012 17:40

Situata dramatike e zjarreve në vend u vendos në qendër të emisionit të parë të sezonit të ri në “Pasdite në Top-Channel”, ku nëpërmjet lidhjeve të shumta nga studio, u dha një panoramë e plotë e asaj që po ndodh në të gjithë vendin.

Megjithatë, ndërsa në këto javë kanë qenë pothuajse eksluzivisht zyrtarët ata që kanë folur, “Pasdite” i dha mundësinë të shprehen njerëzve të thjeshtë dhe ambientalistëve, të cilët lëshuan apelin e tyre për këtë situatë që është krijuar.

Në lidhje direkte nga studio, ambientalistja Marianthi Guri, nisi fjalën e saj duke bërë një krahasim me vendet e tjera të rajonit. “ i kam parë dhe përjetuar këto situata edhe në të shkuarën, por mund të them se duke e krahasuar me rajonin, që nuk është vetëm Kosova, gjendja në Shqipëri është më alarmante se kudo. Para një jave ishim në një shërbim pune në Kroaci, Bosnje dhe Mal të Zi e ajo që vumë re nga avionët e vegjël me të cilët lëviznim, ishte se në sipërfaqe jashtëzakonisht të mëdha të gjelbëruara, nuk kishte asnjë vatër zjarri. Në vendin tonë, panorama ishte e trishtë, shikoje zona të shkretuara nga bimësia, të tjera të shkrumbuara apo në flakë”.

E pyetur për dëmet që mund të kenë shkaktuar flakët deri tani, Zonja Guri theksoi se dëmi nuk është vetëm ekonomik, por edhe afatgjatë dhe me pasoja që do të ndihen shumë shpejt për të gjithë.

“Vlerësimet mund të nisin të bëhen sapo të nisë sezoni i shirave dhe ekspertët kanë formula për të llogaritur se çfarë dëmi është shkaktuar, por djegia e pyjeve do të shkaktojë edhe një faturë ekonomike të paparashikuar për momentin, që nis me erozionin, përmbytjet pranë zonave kodrinore e malore, pasi një rrënjë peme thith deri në 300 kilogram ujë shiu, ndërsa në dimër do të shtohen orteqet, fenomene që më vete do të kenë faturat e tyre”.

Në fund të fjalës së saj në “Pasdite”, Guri lëshoi edhe një apel ndërgjegjësimi, një mesazh të shkurtër drejtuar të gjithë atyre njerëzve që ndezin qëllimisht zjarre në pyje. “Pylli është një pasuri kombëtare, jo vetëm e zonës ku është pranë. i përket gjithë kombit sepse nëpërmjet pyjeve sigurojmë të ardhura ekonomike dhe që banorët e zonave urbane e kanë si zonë relaksi për ta shfrytëzuar në fundjavë. Të mendojmë edhe për atë që po i lëmë pas fëmijëve, që për momentin është vetëm një katastrofë ekologjike. Duhet të mendojmë t’i garantojmë brezit të fëmijëve një pasuri kombëtare, të ngjashme me atë që gjetëm dhe ne”.

Ndërkohë, në lidhje direkte, korrespondenti i “Top-Channel” në Kosovë, Valmir Elezi, bëri edhe ai një panoramë të situatës së rënduar edhe përtej kufirit, ndërsa Alfred Olli, drejtori i emergjencave civile, bëri një panoramë të gjendjes ende të pastibiziluar në vend.

Në një tjetër lidhje direkte, Njazi Deliu, sekretar i Këshillit të Komunës Dajt, u shpre se fatkeqësisht, tashmë zjarret kanë përfshirë edhe zona të parkut kombëtar të Dajtit.

Top Channel