Administrata, ngrijnë shpenzimet

03/09/2012 00:00

Rreziku nga tejkalimi i kufirit ligjor të borxhit dhe defiçitit e ka
detyruar Ministrinë e Financave të përgatisë një paketë masash drastike
për reduktimin e shpenzimeve buxhetore.

Në datën 28 gusht ministri i Financave Ridvan Bode, i ka dërguar zyrtarisht Këshillit të Ministrave një projektvendim, i cili parashikon ngrirjen e një sërë shpenzimeve administrative. Sipas projektvendimit që pritet shumë shpejt të miratohet edhe në Këshill të Ministrave, që pas datës 7 shtator do të ndalohet çdo prokurim i fondeve të buxhetit për shpenzime operative.

Po kështu paketa e masave parashikon uljen me 20 për qind të të masës së mbulimit për shpenzimet  e telefonise celulare per nepunesit  dhe ngrirjen e fondit të vecantë deri në datën 5 dhjetor.

Vetëm përmes këtyre dy masave të fundit qeveria parashikon të kursejë 220 milionë lekë ose rreth 2.2 milionë dollarë. Por në projekvendim ka dhe masa të tjera të forta, për të cilat Ministria e Financave nuk e ka përllogaritur efektin se sa do të kursehet në buxhet. Sipas dokumentit, shpenzimet për udhëtime dhe dieta jashtë vendit për punonjësit e administratës qëndrore do të reduktohen vetëmj në ato udhëtime të rëndësisë së vecantë dhe vetëm për një numër të kufizuar punonjësish.

Edhe në ato raste thotë projektvendimi është e detyrueshme marrja e miratimit të ministrit të linjës apo titullarit të institucionit. Më e ashpër është ndërhyrja tek trajnimet e nëpunësve publik. Sipas dokumentit të Ministrisë, që nga data 7 shtator të gjitha trajnimet, seminarët apo kurset jashtë vendit do të bllokohen plotësisht, ndërsa fondet e paracaktuara, por të papërdorura deri më tani për këtë zë reduktohen në 50 për qind. 

Ministria e Financave thotë se gjatë monitorimit në disa institucione janë vërë re probleme dhe shkelje në mënyrën se si zbatohet legjislacioni për pagat dhe shpërblimet. Ndaj sipas Ministrisë përmes këtij vendimi synohet displinimi i shpenzimeve financiare që rritja e parashikuar e pagave të mos kërkojë më fonde shtesë nga buxheti. 

Top Channel