Fullani, ambiente me qira, 2.8 milionë USD pa tender

01/09/2012 00:00

Shpenzimet e Bankës së Shqipërisë nuk kanë të sosur. Pas dietave
marramendëse, kushteve komode për të punuar, si ushqim, palestër dhe
relaks për stafin e ngushtë të guvernatorit, BSH i ka dhënë të drejtë
vetes të kryejë blerje dhe marrje shërbimesh pa tender në shifra të
konsiderueshme.

Ishte muaji gusht i vitit 2008, kur Këshilli Mbikëqyrës merr vendimin për prokurimin e ambienteve me qira dhe blerjen e tyre në zonën e Selvisë, pranë Vilës Gold, ku pronar është Refik Halili, ish-donatori i Tiranës. BSH ka marr me qindra ambiente me qira, me çmim të kripur, sikur të ishte zona e ish-Bllokut, por më e rëndësishmja është fakti se janë kryer pa garë.

Me rikonstruksionin e godinës qendrore, natyrshëm që stafi i bankës duhet të gjente përkohësisht ambiente të tjera për të punuar. Në dy vjet, nga fillimi i punimeve për godinën e re në qendër dhe zhvendosja e stafit në bllokun e pallateve pranë Selvisë, BSH ka shpenzuar rreth 2.8 milionë dollarë, pa asnjë garë. Gjatë kësaj kohe, Këshilli Mbikëqyrës ka marrë 5 vendime që rishikonin njëra-tjetrën sa i takon afateve dhe vlerës së prokurimit.

Për këto fakte, opozita nuk kritikon vetëm kreun e BSH-së, por edhe kryeministrin Berisha, i cili e përzgjodhi si kandidat për guvernator me mandat të dytë 7-vjeçar.

Në gusht të vitit 2008, Guvernatori Fullani nënshkroi një vendim që i jepte të drejtën të blinte e të merrte me qira ambiente për Bankën. Procedura u krye me “prokurim të drejtpërdrejtë”, vetëm me një kompani nominale, pa garë, me afat prokurimi deri në një vit. Objekti ishte blerja për 5 milionë dollarë të 1900 metrave katrorë dhe marrja me qira për 1 milion dollarë të 1800 metrave katrorë, po në të njëjtën godinë. Me çmimin e ofruar, në zonën e Selvijes, pranë Rrugës së Dibrës, BSH e ka blerë metrin katror për rreth 2500 euro, më shumë se në zonën më të shtrenjtë të ish-Bllokut.

Faktet tronditëse janë publikuar dje nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i cili vijon të zbardhë dosjen mbi shpenzimet e Bankës së Shqipërisë. Sipas tij, në shkurt të vitit 2010, ndryshon vendimin dhe zgjat kohën e prokurimit të drejtpërdrejtë me 24 muaj, në 2 vjet. Në prill 2010 (vendimi i dytë), ndryshon përsëri vendimin dhe ul vlerën e prokurimit në 5.5 milionë dollarë.

Seria e vendimeve vijon ende. Në qershor 2010 (vendimi i tretë), ndryshon vendimin përsëri dhe heq dorë nga blerja e ambienteve, lejon prokurim vetëm për qiramarrje. “Në gusht 2010 (vendimi i katërt), 2 vite fiks nga vendimi bazë, me prokurim të drejtpërdrejtë, guvernatori vendos pa garë marrjen me qira të 3890 metrave katrorë në të njëjtën godinë, në të njëjtën kompani të dominuar 2 vite më parë”, thotë Braçe, nënkryetar i grupit parlamentar të PS-së. Vlera e këtij prokurimi arrin në 2.2 milionë dollarë.

Të marra së bashku, sipas dokumenteve zyrtare të vetë Bankës së Shqipërisë, janë paguar për qira nga viti 2009 dhe deri në 2012, sipas kontratës, rreth 2.8 milionë dollarë.

“Në kulm të krizës! Kur të gjithë po shkurtojnë shpenzimet e luksit, ky është shembulli tipik i abuzimit me paratë publike, shmangies së garës-konkurrencës dhe shpenzimin e një shume të çmendur! Guvernatori duhet të dorëhiqet! Tani! Shpërdorimet e tij kanë rrëzuar përdhe moralin e Bankës së Shqipërisë, veçanërisht në këtë kohë mjerimi”, përfundon qëndrimin e tij, deputeti i opozitës.

Pranë Rrugës së Dibrës, BSH e ka blerë m² për rreth 2500 euro, më shumë se në zonën e ish-Bllokut

Muzeu – Një tjetër shpenzim i Bankës së Shqipërisë lidhet me muzeun e bankës, për të cilën u hodhën 1.8 milionë dollarë

5 vendimet – Në dy vjet, Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së mori 5 vendime të ndryshme për të blerë dhe për të marrë me qira ambientet tek i njëjti subjekt, pa tender, me vlerë rreth 6 milionë USD.

Gazeta “Shqip”

Top Channel