Shembet ura, izolohen gjashtë fshatra

31/08/2012 09:40

Gjashtë fshatra në Peshkopi kanë mbetur të izoluar pasi ura që lidh komunën e tyre me rrethin u shemb mëngjesin e së premtes.

Policia e Qarkut të Dibrës informoi se si rrjedhojë e amortizimit, ura e Muhurit ka pësuar dëme të rënda dhe aktualisht është e kalueshme me vështirësi vetëm nga këmbësorët.

Për fat të mirë, askush nuk ndodhej mbi të në momentin e kolapsit, duke shmangur kështu ndonjë tragjedi të mundshme.

Asnjë mjet nuk mund të kalojë në urë pasi një dëmtim ka ndodhur në pjesën e bazamentit, i gjatë 200 metra.

Ndërkohë, banorët kujtojnë se ishin ankuar disa herë për gjendjen e mjeruar të urës, ndërsa kërkojnë riparimin e shpejtë të saj, përpara se sezoni i shirave dhe vjeshta të izolojnë edhe më shumë fshatrat e të bëjnë më të vështirë kalimin e lumit me mjete alternative.

Top Channel