Ushtria për zjarret në Dajt

30/08/2012 19:45

Të paktën 800 forca ushtarake janë vënë në dispozicion të shërbimit pyjor për shuarjen e zjarreve në disa territore të vendit.

Një pjesë e madhe e tyre janë vendosur në malin e Dajtit, ku prej pesë ditësh vazhdon të digjet një vatër e madhe, e cila ka përfshirë nga flakët një pjesë jo të vogël të masivit, por që për fat të mirë është larg parkut kombëtar.

Forcat ushtarake janë duke punuar me mjete ndërtimi dhe mjete rrethanore për të vënë nën kontroll këtë vatër, e cila ka ardhur nga hetimet e deritanshme, nga një zjarrvënie e qëllimshme nga barinj në fshatin Qafë Mollë.

Sipas të dhënave zyrtare, edhe 400 forca të tjera ushtarake janë në gatishmëri nëpër reparte për ndërhyrje në rast të përhapjes së këtyre vatrave.

Gjatë së enjtes, helikopteret turq nuk kanë fluturuar për shkak se e kanë konsideruar të rrezikshëm sasinë e madhe të tymit qe po del nga këto vatra zjarri.

Në Dajt, situata mbetet e papërmirësuar, ndërsa shihen edhe zjarre të vogla në buzë të rrugës automobilistike.

Forca ushtarake janë duke punuar për të vënë në kontroll vatrën në majën e malit, që sipas tyre do të bënte të mundur që flakët të mos zgjeronin më perimetrin e tokës së përfshirë nga flakët.

Opozita akuzon qeverinë

Ndërkohë, deputetë të opozitës kanë bërë me faj qeverinë për një apati në veprime për të shuar zjarret dhe për të vendosur kontrollin.

“Disa ditë më parë i ramë këmbënave të alarmit, të shqetësuar thellësisht nga njëra anë për emergjencën me zjarret në Shqipëri dhe nga ana tjetër për indiferencën e qeverisë. Madje, i bëmë thirrje kryeministrit që të mos merret me opozitën, por të kthente kokën nga zjarret. Të vinte të shikonte çpo ndodh afër Tiranës, në Priske ku jemi sot. Ku është qeveria dhe ministrat që janë zhdukur?”, deklaroi deputeti socialist, Eduard Shalsi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA