Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së enjtes në qytetin e Shkodrës, ku atë e bir janë qëlluar me bresheri automatiku dhe për pasojë ka vdekur në vend 46-vjeçari Frederik Marku nga Mirdita, por banues në Tiranë.
Ndërsa i biri, 22-vjeçari Jurgen Marku është plagosur dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën. Si autori ashtu dhe viktima dy orë para ngjarjes kanë qënë të shoqëruar në polici për një grindje që kishin pasur një ditë më parë.
Në momentin që janë qëlluar, viktima me të birin po lëviznin me automjetin e tyre në afërsi të spitalit rajonal. Shkak i kësaj ngjarjeje është bërë sherri i një nate më parë në fshatin Theth të Dukagjinit, ku viktima, i cili është dhëndër në këtë fshat dhe kishte nisur ndërtimin e një hoteli në zonën turistike, ka pasur një konflikt me një banor të zones.
Konflikti ka qënë një grindje e çastit e djalit të viktimës me një shokun e tij. Frederik Marku kishte ndërhyrë dhe kishte qëlluar me qytë pistolete të riun që po i dhunonte të birin dhe pas kësaj palët janë shoqëruar në polici, ku kanë qëndruar gjithë natës.
Ata u lanë të lirë mesditën e së enjtes pas proçedurave të kryera në komisariat, por vetëm dy orë pasi kanë dalë nga ambjetet e policisë dy palët kanë vazhduar sherrin dhe shtetasi Frederik Marku është qëlluar për vdekje. Policia pohon se autori është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij.
Dy javë më parë, në fshatin Bardhaj të rrethit të Shkodrës, dy vëllezër u qëlluan dhe njëri prej tyre ndërroi jetë, pas një prite në oborrin e shtëpisë, përsëri për arsye gjakmarrje.
Në dhjetë ditët e fundit, vendi është përgjakur nga një seri vrasjesh për motive xhelozie, arsye grabitje apo hakmarrje, të ndodhura në Tirane, Orikum, Fier, Lushnje dhe qytete të tjera.
Top Channel