PS: Shpenzimet absurde të BSH

30/08/2012 00:00

Pas denoncimeve publike në media mbi shpenzimet në Bankën e Shqipërisë, opozita ka sulmuar ashpër Guvernatorin Ardian Fullani.

Deputetja socialiste Mimi Kodheli që mban njëherazi edhe postin e nënkryetares së Komisionit Parlamentar të Ekonomisë tha se shpenzimet e bankës në kushtet kur më shumë se gjysma e shqiptarëve jetojnë në kufijtë e varfërisë, janë jashtë çdo logjike.

“Guvernatori i Bankës rezulton të jetë guvernatori i dytë më i paguar në botë, në raport me të ardhurat për frymë. Jo vetëm kaq, por në një kohë kur Banka Botërore deklaron se shumica e shqiptarëve plot 58 për qind e tyre jetojnë në më pak se 5 dollarë në ditë, Guvernatorit i duket një gjë normale të shpenzojë miliarda lekë për mobilimin e zyrës, po kaq për udhëtime jashtë shtetit apo që punojnë si të mos marrin bukë me vete, apo për ekipin e volejbollit të punonjësve të Bankës, për të cilin Guvernatori po e mburr se ka zënë vendin e dytë, në Ballkaniadën e bankave qendrore”, tha Kodheli.

Zonja Kodheli deklaroi se ky realitet tregon qartë se si qeveria dhe autoritetet vendimmarrëse po tallen me qytetarët e thjeshtë të goditur nga kriza ekonomike.

“Asgjë nuk tregon më qartë se këto shifra se cfarë përmasash ka marrë tallja që po i bën Berisha dhe pushteti i tij këtij populli, në një kohë kur varfëria ka arritur në një nivel rekord, kur qindra mijëra shqiptarë nuk ia dalin dot të mbyllin muajin, kur kriminaliteti po merr përditë jetë njerëzish, ndërsa Shqipëria është pothuajse e gjitha në flakë, Kryeministri tregon përrallën e rritjes ekonomike”, tha Kodheli.

Deputetja socialiste i është rikthyer edhe çështjes së privatizimeve, ku ka deklaruar se në 100 vjetorin e pavarësisë qeveria ka nxjerrë kombin në shitje. Kodheli vuri në dukje faktin se qeveria po shet 95 për qind të pronës publike duke përfshirë edhe 1.2 milionë metra katrorë tokë në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, duke deklaruar se këto privatizime sipas saj abuzive, duhet të ndalen.

Top Channel