Karburantet kapërcejnë 200 lekë/litër

30/08/2012 00:00

Çmimet e naftës dhe benzinës pësuan një rritje të ndjeshme në tregun
vendas të pakicës gjatë fundjavës, duke vijuar edhe në ditët e fundit.
Tre operatorët kryesorë i kanë rritur ndjeshëm ato brenda të njëjtës
periudhë.

Nafta tregtohet me rreth 188-193 lekë për litër në pikat e shitjes me pakicë, ndërsa benzina ka arritur në 193-196 lekë për litër, madje në qendër arrin edhe pranë 200 lekë. Kjo është hera e katërt që operatorët kryesorë po rrisin çmimet gjatë tre muajve të fundit, duke i shtrenjtuar brenda një periudhe të shkurtër me rreth 10 për qind.

Në tregjet ndërkombëtare, treguesi Brent i naftës bruto është luhatur në rreth 110-117 dollarë për fuçi gjatë tre muajve të fundit, pa luhatje të mëdha dhe larg niveleve të larta prej 135 dollarë për fuçi që u arritën një vit më parë. Edhe kursi i këmbimit të dollarit ndaj lekut nuk ka ndryshuar shumë, ku një dollar është kuotuar me rreth 110 lekë. Ndërkohë që çmimet e tregtimit të karburanteve në tregun vendas e kanë kaluar nivelin e marsit të kaluar (ku arritën deri në rreth 185 lekë), kur nafta në tregjet ndërkombëtare arriti në nivele rekord.

Top Channel