Vijon situata problematike nga zjarri në pyllin e Bozdovecit. Flakët
janë duke shkrumbuar hektarë të tërë me bredh dhe pisha, duke rritur
edhe më tepër dëmin ekologjik te shkaktuar në këtë zonë.
Tashmë është djegur më tepër se tre të katërtat e sipërfaqes totale të Parkut “Bredhi i Drenovës”, pavarësisht punës nga punonjësit e shërbimit pyjor.
Për shkak të terrenit të vështirë malor është thuajse e pamundur që të ketë një përmirësim të situatës përmes punës me krahë, ndërsa prefekti i Korçës e ka konsideruar situatën problematike sa i takon dëmit të madh të turizmit. Ai thote se ndërhyrja e vetme eshte ajo nga ajri.
“Problematike mbetet situata në pyllin e Bozdovecit, ndërkohë që vazhdojnë në terren të jenë rreh 100-120 forca të komunës dhe zjarrëfikëse. Aktualisht vazhdon prerja e pyllit për të krijuar korridore që të ndërpresin përhapjen e zjarrit. Kemi kërkuar ndihmë nga ajrit për të hedhur sasi ujë në këtë zonë dhe sidoqoftë, forcat e njerëzve janë atje dhe mundohen të kufizojnë përhapjen”, deklaroi prefekti i Korçës, Andrea Mano.
Ndërkohë, vijojnë të jenë aktive edhe disa vatra të tjera zjarri në Qarkun e Korçës. Kështu në Malin e Bardhë vatra është ende aktive, në Dardhë zjarri është vënë nën kontroll, ndërsa është shuar në pikën turistike të Voskopojës, ku u dogjën më tepër se 50 hektarë me pyje.
MB: 29 vatra zjarri në gjithë vendin
Ministria e Brendshme raportoi në orët e mbrëmjes së të mërkurës për situatën e krijuar nga vatrat e zjarrit në shkallë republike. Sipas kësaj ministrie, aktualisht në vend numërohen 29 vatra aktive zjarri. Qarqet me problematike janë ai i Dibrës, Korçës, Elbasanit, Kukësit, Lezhës dhe Shkodrës.
Në Korçë është një vatër zjarri aktive, ndërsa dy vatra të tjera janë të izoluara nga forcat zjarrfikëse dhe punonjësit e policisë pyjore. Lajmi i mirë që mbërrin nga ky qark është përparimi në fikjen e flakëve të rëna në Parkun e Bozdovecit.
Në Kukës shqetësuese mbetet situata e krijuar nga zjarri i rënë në Komunën Tërthorë në Bjeshkët e Bardhocit. Në qarkun e Lezhës problematike është situata në rrethin e Mirditës me pesë vatra zjarri, 2 në Rrëshen dhe 3 nëpër fshatrat e zonës. Në Qarkun e Elbasanit është një vatër e re zjarri në rrethin e Librazhdit drejt së cilës janë nisur forcat zjarrfikëse, ndërkohë që në Qarkun e Tiranës vazhdon të mbetet problematike vatra e zjarrit në Malin e Dajtit në lartësitë e Priskës.
Top Channel