Fullani: Shpenzimet të nevojshme

28/08/2012 00:00

Një ditë pas denoncimit publik të deputetit socialist, Erjon Brace, për shpenzime të fryra në Bankën e Shqipërisë, ka reaguar guvernatori Ardian Fullani.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me këtë çështje, zoti Fullani tha se Banka shpenzon për të rritur profesionalizmin e punonjësve të saj.

”Duhet të jemi shumë korrekt dhe të mos bien në rrjetën e shpifjeve. Ne nuk shpenzojmë, por investojmë në njeriun, në elementin më të rëndësishëm të tij që është profesionalizmi. Duhet të kemi të qartë se nuk mund të kemi një institucion të pavarur, nëse nuk ke një punonjës profesionist”, deklaroi Fullani.

Zoti Fullani i quajti si të domosdoshme edhe shpenzimet për kompesimin e ushqimeve dhe ato të sportit

”Përsa i përket sporteve, këto janë elementë të domosdoshëm të zhvillimit të një institucioni bashkëkohor, pjesë e institucioneve ndërkombëtare. E them me krenari që vazjat e Bankës së Shqipërisë, në volejboll, fituan vendin e dytë në Ballkaniadën e Bankave Qendrore dhe njëkohësisht po bëjmë një revolucion për rikonstruksionin e godinave të Bankës”, shtoi Fullani.

Braçe: Shpenzime luksi

Pas këtyre deklaratave, deputeti Erjon Braçe reagoi në rrjetet sociale duke akuzuar guvernatorin si shpifës dhe abuzues të fondeve.

Braçe i kërkon guvernatorit që publikisht të tërheqe shpifjen ndaj tij dhe medias, “ndryshe do të bëj publike gjithë korrespondencën zyrtare mes meje dhe BSH ku janë të gjitha shifrat e përmendura”, u shpreh Braçe.

Sipas deputetit, “shpenzimet për kompesim ushqimi janë mbulimi i një kontrate tërësisht personale të kërkuar prej guvernatorit, në favor të një kompanie, jo prej punonjesve të BSH-së”.

”Shpenzimet për sportin janë tërësisht jashtë çdo logjike”, shkruan Braçe, ndërsa kujton se “janë 1 milion dollarë të shpenzuara për qera në vitin 2011, bëhën gati 3 milion dollarë prej 2009-tës. E gjitha në një kohe kur Banka ka harxhuar para për të blerë godina të reja e për të restauruar të tjera”.

Me tej deputeti socialist, duke iu drejtuar Fullanit, shkruan: “ti nuk përgjigjesh as për shpenzimet e transportit, ato që i klasifikon si “bileta avioni, treni, autobusi”, të tjerat që i klasifikon si “shpenzime per udhëtime biznesi, jashtë shtetit” që arrijnë respektivisht në 400 mijë e 550 mijë dollarë vetëm për këtë vit”.

Braçe mbylli komentin e tij ndaj guvernatorit duke thënë se “une të sfidoj, duke kërkuar që të hapen sirtaret e Bankës për kontrollin e shtetit”.

Top Channel