Biznesi shkon drejt kleringut

25/08/2012 00:00

Profesor Sotiraq Dhamo, i cili drejton Departamentin e Kontabilitetit në
Fakultetin e Ekonomisë thotë, se zinxhiri i borxheve të pashlyera që po
krijohet në ekonomi, është një sinjal alarmi, që nuk duhet neglizhuar.

“Ka më shumë se një vit, që është krijuar kjo situatë e mungesës së likuiditetit, që është treguesi i parë një krize financiare dhe ekonomike, në radhë të parë financiare. Domethënë kriza e likuiditetit që shfaqet ndërmjet krijimit të borxheve të kompanive njëra me tjetrën dhe nëpërmjet pagesave, të themi me klering mall me mall”, tha profesor Dhamo.

Prej disa vitesh zoti Dhamo ka qenë konsulent ligjor dhe fiskal i shoqatave më të mëdha të biznesit. Si një njohës i mirë i sipërmarrjes, ai thotë se mungesa e likuditetit ka bërë që në shumë tregje të shfaqet dukuria e formave të tjera të pagesave, siç është ajo e këmbimit mall me mall, që sipas tij nuk mund të vazhdojë edhe për shumë gjatë për një sërë arsyesh.

“Një pjesë e pagesave nuk mund të kryhen dot me mall. Furnitorin mund ta paguash me klering, por shtetin, taksat, punonjësit nuk i paguan dot me mall. Do të vijë një kohë që këto detyrime nuk mund të shlyhen më me klering dhe rruga pastaj të çojë drejt falimentimit”, thotë Dhamo.

Por ngërçi i likuiditeteve dhe krijimi i detyrimeve të pashlyera ka dhe një rrezik më të madh, pasi në kushtet kur bankat nuk japin më kredi, gjendja e vështirë financiare mund t’i detyrojë bizneset të kërkojnë zgjidhje të dëshpëruara përmes skemave informale të huamarrjes.

“Njerëzit, të cilat kanë vlera monetare të lira, që janë të gatshëm t’i japim, por sigurisht jo me atë interes që kanë bankat. Në këtë rrugë të dëshpëruar, bizneset do të detyrohen të pranojnë edhe norma të larta interesi, por situata është e tillë që ato nuk do të jenë në gjendje t’i paguajnë dhe kjo sjell rrezikun e atyre piramidave, që do të marrin borxhe që pastaj nuk do të shlyhen dhe kjo do të sjellë një situatë akoma më të vështirë, nëse nuk do të ndërhyhet”, tha Dhamo.

Por ndonëse e konsideron një gjendje problematike, Dhamo mendon se situata nuk është pa zgjidhje dhe për këtë propozon tri rrugë.

“Zbutja e borxhit që ka shteti ndaj kompanive, sepse një nga arsyet e krizës në Shqipëri të likuiditetit është borxhi i madh që shteti ka ndaj kompanive. E dyta do të ishte rishikimi i mënyrës së pagesës së tatimeve dhe taksave, në kuptimin e shtyrjes në kohë dhe e treta do të ishte ndërhyrja në sistemin bankar dhe kjo nuk duhet të jetë kaq strikt dhe kaq jo elastik, sepse në vetvete nuk po luan rolin që duhet”, tha Dhamo.

Shqetësimet për krijimin e borxheve të pashlyera në ekonomi janë rritur, vecanërisht për disa nga tregjet me kryesore në vend, si eneregjia apo dhe ndërtimi, ku kjo dukuri duket më e theksuar.

Top Channel