Bie konsumi i energjisë

24/08/2012 00:00

Bilanci zyrtar i energjisë elektrike, përveçse konfirmon situatën e
vështirë të sektorit, nxjerr në pah dhe një tjetër dukuri shqetësuese.
Atë të rënies së fortë të konsumit të energjisë nga biznesi.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga INSTAT, në gjashtë muajt e parë të vitit, konsumi i energjisë elektrike nga biznesi u ul me 37.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është hera e dytë në 5 vitet e fundit, kur konsumi i energjisë nga biznesi ka rënë.

Hera e parë ishte në vitin 2009, atëherë kur ekonomia mori goditjen e parë nga kriza. Por në atë vit, konsumi i energjisë nga ndërmarrjet ra me vetëm 6.5 për qind, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të këtij viti rënia është mbi 6 herë më e lartë.

Shifrat tregojnë se në gjashtë muajt e parë të vitit biznesi ka konsumuar më pak energji edhe se në vitin 2007, kur vendi vuante nga krizat energjetike. Konsumi i energjisë është një nga treguesit kryesor që shpesh përdoret për të matur gjendjen e ekonmomisë. Rënia e fortë e tij është një sinjal që e paralajmëron vitin 2012 si më të vështirin për ekonominë.

Biznesi: Tregues i krizës

Stefan Pinguli, një nga prodhuesit e mëdhenj të birrës në vend thotë se dy janë shkaqet se pse biznesi ka ulur konsumin e energjisë dhe të dyja lidhenj me gjendjen e vështirë të ekonomisë.

“Nje shkak eshte se disa biznese kane mbyllur aktivitetin. Ndersa nje tjeter shkak lidhet me faktin se disa biznese te tjera perfshire dhe ne jane duke kursyer energjine per te ulur kostot”, tha Pinguli.

Për Pajtim Bellon, ish-zëvendësministër i Energjetikës dhe Industrisë, rënia e konsumit të energjisë nga biznesi, pasqyron direkt tkurrjen e aktivitetit të ndërmarrjeve në disa sektorë të ekonomisë. Në tremujorin e parë të vitit, ekonomia u tkurr me 0.2 për qind krahasuar me të njëtën periudhë të një viti më parë, si pasojë e rënies së fortë të prodhimit industrial dhe thellimit të krizës në sektorin e ndërtimit edhe ky me rënie dyshifrore.

Top Channel