Qeveria, borxhe nga individët

21/08/2012 00:00

Qeveria mori 15 milionë euro borxh në tregun e brendshëm përmes bonove të thesarit të nominuara në monedhën europiane.

Sipas njoftimit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, qeveria ka arritur të marrë të gjithë shumën e kërkuar me një interes mesatar prej 5.26%. Ky është ankandi i dytë brenda muajit ku qeveria merr borxh në euro. Ankandi i parë u zhvillua në fund të korrikut, ku edhe pse kërkoi sërish 15 milionë euro borxh, Ministria e Financave arriti të sigurojë vetëm 11.5 milionë euro për shkak të ofertave të pakta.

Këtë herë duket se individët kanë qenë më të gatshëm për të kredituar qeverinë, kjo edhe për shkak të interesit që mbetet dukshëm më i lartë se investimi në depozita, përveçse ofron edhe më tepër siguri. Qeveria u detyrua të kërkonte borxh në valutë nga individët pasi disa nga bankat më të mëdha në vend filluan të ulnin huadhënien për buxhetin me ritme shumë të shpejta, për shkak të kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian.

Sipas Bankës së Shqipërisë, njëra nga bankat më të mëdha private uli në vetëm brenda tre muajsh peshën në borxhin e brendshëm publik me 3 pikë përqindje duke e vendosur qeverinë në vështirësi për të financuar borxhin e saj. E gjendur përballë kësaj situate Ministria e Financave prej disa muajsh ka nisur një fushatë të gjerë informimi për të nxitur individët që t’i investojnë kursimet e tyre në letrat me vlerë të qeverisë,  jo vetëm në valutë por edhe në bonot e emetuar në monedhën kombëtare.

Top Channel