Bulqizë, protestë e minatorëve

19/08/2012 13:10

Në mbështetje të minatorëve grevistë, në Bulqizë kanë shkuar edhe drejtuesit e sindikatave.

Ata kanë kërkuar që të zgjidhet sa me shpejt konlikti mes dy kompanive “ACR” dhe “Turalb”.

Kompania “ACR” ka prishur një marrëveshje të nënshkruar prej saj vetem pak muaj më parë dhe ka penguar me forcë minatorët që të hyjnë në galeritë e zonës D.

Prej disa muajsh aty u realizuan investime, por që u ndërprenë me forcë dhe 66 minatorët që punonin në këtë sektor e panë veten sërish të papunë.

”Prej një jave jemi të papunë. Ky vendim është marrë pas një shkrese që ne ende nuk e disponojmë, shkresë e sjellë nga administratori i “ACR”-së, që ndërpret marrëveshjen. Me sa kuptojmë ne ose me sa dimë, një marrëveshje e firmosur mes dy palësh zgjidhet nga të dyja bashkarisht ose me vendim gjykate. Ai ka sjellë me kokën e tij një vendim për përfundimin e punës së “Turalb”-ës. Për ne ka pak rëndësi shkresat që bien administatorët apo kontraktorët e tjerë. Për ne është e rëndësishme që të fillojmë punë rregullisht”, deklaroi Agron Basha, një punëtor dhe sindikalist i minierës.

Edhe drejtuesit e Konferedetarës Sindikaliste mbështesin kërkesat e minatorëve. “Listat e këtyre minatorëve janë bërë shumë të gjata në radhët e dyqaneve që janë në Bulqizë. Prandaj do ju bëja thirrje të dyja firmave, si “Turalb” edhe “ACR”-së që të ulen në bisedime. i lëshoj edhe një apel të gjithë spektrit politik, si të majtë ashtu edhe të djathtë, që Bulqiza është drejt greminës dhe çdo ditë e më shumë po fundoset nga korrupsioni i lidhur ngushtë me qeverinë”, u shpreh Taf Koleci, kryetar i konfederatës sindikaliste.

Në hyrje të galerive qëndrojne policët që nuk lejojnë minatorët profesionistë të punojnë, ndërkohë që në stoqet e mineralit janë me dhjetëra persona, kryesisht fëmijë që rrezikojne jetën duke gërmuar për të nxjerrë mineral kromi. Puna e tyre, e pasigurt, ilegale shfrytëzohet për të rritur fitimet e personave të tjerë që merren me blerjen dhe grumbullimin e kromit, të nxjerrë me kosto shumë më të ulët duke mos paguar asnjë detyrim në shtet.

Top Channel