AKZ: Të mos preket kufiri shqiptar

14/08/2012 00:00

Aleanca Kuqezi ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti, për projektin e gazsjellësit TAP, që mund të kërkojë zbatimin e marrëveshjes detare me Greqinë.

Përmes një njoftimi për shtyp, Aleanca Kuqezi ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e ujërave me Greqinë flet qartë.

“Pakti detar me Greqinë është antikushtetues dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk negociohet. Panariti dhe Avramopulos të mos guxojnë të prekin kufijtë e Shqipërisë”, ka deklaruar AKZ.

Grupimi politik i drejtuar nga Kreshnik Spahiu ka paralajmëruar se nëse kjo ndodh, qeveritë e dy vendeve do të përballen me protesta masive të shqiptarëve.

“Nuk shitet kufiri për projekte gazsjellëse e naftësjellëse. Vazhdon tradhtia kombëtare”, thuhet më tej në reagimin për shtyp të lëvizjes patriotike.

Sipas tij, Greqia është mësuar të marrë peng fqinjët me haraçe dhe kryeministri Berisha nuk i ka shpëtuar dot këtij fenomeni.

“Turp kombëtar që në 100-vjetorin e Pavarësisë po rinegociohet marrëveshja me Greqinë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën për shtyp.

Top Channel