Kryeneçësia e bukur që i mungon Vlorës

06/08/2012 00:00

ALEKSANDER ÇIPA – Vlora nuk do të ketë përfundimisht kohë
për t’u përgatitur për kremtimin e meritueshëm të 100-vjetorit të
themelimit të shtetit të pavarur shqiptar, ose siç thuhet më thjesht,
për kremtimin e shekullit të Pavarësisë.

Në qytetin ku u shpall dhe u ngrit flamuri i mëvetësisë, nuk ka energji, nuk ka përgatitje dhe sipas të gjitha gjasave, do të ketë deri në javën e fundit të nëntorit të vitit 2012, vetëm një pritje për t’u kullandrisur “nga lart” kjo festë e meritueshme për të gjithë.

Pushteti vendor vështirë se e ndërton në tre muajt e mbetur deri në kremtimin e 28 Nëntorit, një vepër apo një mjedis rishtar për ta emërtuar si dhuratë posaçërisht për 100-vjetorin. Një shtatore që përgatitet për kryeburrin e shtetit shqiptar, Ismail Qemalin, thuhet se është bujaria më e madhe e mundësisë bashkiake të qytetit. Të tjerat do të jenë këngët që do të shtohen dhe besoj fjalët që nuk do të kursehen në garën e burrave të sotëm që bëmë kanë deformimin dhe garë shesin fjalimet. Asgjë tjetër. Ndërkohë që për një kremtim të tillë shekullor, investimi kombëtar që duhej t’i adresohej Vlorës është dhe duhej të ishte legjitim për shumë e shumë arsye. Skepticizmi që gëlon ndër bisedat e lira mes intelektualëve të qytetit është i natyrshëm, por është një pakënaqësi që mbetet e pazëshme, e pashprehur dhe fatkeqësisht duhet lexuar si një vlerë e munguar e asaj kryeneçësie të fisme e të bukur që ka trashëguar dhe është mitizuar, qoftë edhe folklorisht, në këtë e për këtë qytet.

Çështja nuk shtrohet për një reagim, i cili të përdoret politikisht dhe të formësojë një antagonizëm mes pushtetit vendor socialist të qytetit dhe qeverisë së demokratëve të Kryeministrit Berisha. Problemi është me një dimension dhe semantikë unike kombëtariste dhe kombëtare. Shoqëria e munguar civile e këtij qyteti me traditë dhe trashëgimi peshuese, do të ishte me vend të zgjohej në këtë periudhë të duhur. Qyteti ka nevojë të jetë më i ndryshëm në këtë 100-vjetor, në shumë e shumë aspekte. Nismat munguese nuk kërkojnë investim e financim, por elita e një qyteti në raste të tilla sulmon elitën mediokre qeverisëse dhe politikëbërëse përmes aktesh që sfidojnë memorialistikisht. Sikur në qytet prej muzeologëve të heshtur, prej arkitektëve që nuk konstruktojnë vetëm pallate, prej piktorëve që në këtë qytet kanë investuar dhe formësuar një shkollë tipologjike, prej muzikantëve dhe artistëve të interpretimit, prej ekspertëve detarë etj., etj., të nismoheshin pavijonet e një muzeu përshkrues për udhën njëshekullore të shtetit dhe personazheve e pasardhësve të themeluesve të dikurshëm, atëherë, shumëkush prej nesh, por sidomos gjithë shqiptarët kudo në botë, nuk do të jetonin vetëm me interpretimet amatoreske dhe propagandistike të Kryeministrit apo opozitarëve nihilues të tij. Vlorës i meritohej kësaj here një nismë që ia merr historirrëfimin çdo politikani dhe ua besonte natyralisht historianëve dhe historiografisë plurale. Në Vlorë kësaj here ka nevojë për një festim që eviton reminishencat dogmatike dhe demagogjike të vlerësimit jomeritokratik të historisë dhe historibërësve. Vlora dhe vendi në këtë 100-vjetor kanë arsyen e madhe të respektimit të historisë njëshekullore të shtetit jo duke pritur fjalimin e të parit aktual në qeverisje, por të shijojnë mendimin e përhershëm për një histori të trashëgueshme. Në këtë 100-vjetor nuk duhet të mbesim në indiferencën apo nënshtrimin e debatit spontan nga të përkohshëm qeverisës. Kjo datë historike ia vlen të përdoret për ringritje dhe rindërgjegjësim, në këtë kohë të zhytjes sonë të plotë në krizën e mosvlerësimit të vlerave dhe kontributeve meritokratike.

Nëse kjo mundësi nuk ekziston në qytetin e menduar si të duhur për këtë shkak, atëherë ndjeshmëria dhe reagimi i segmenteve të shoqërisë dhe inteligjencës me vokacion publik në vend, nuk duhet të mungojë. Një reagim i tillë vlen për të thyer sadopak, këtë sjellje dhe marrëdhënie socreale që klasa politike e vendit ka sendërtuar me shoqërinë shqiptare në tërësi. Por njëherazi një interesim i tillë shoqëror do të evitonte turbulencat qëllimkëqija për rishkrim propagandistik të historisë së shtetit 100-vjeçar dhe do të shmangte psikologjinë dhe mentalitetin e historibërjes prej atyre që posedojnë pushtetin, do të evitonte konfliktin e interesit në historiografinë tonë dhe sidomos anarkinë informuese prej tekstografisë sonë historike.

Pra, nuk është fjala thjesht për fasadën urbane të festës së pritshme, e as për fashimet e mundshme festive të 28 Nëntorit të afërt në këtë qytet. Ideja konsiston te një përjetim real kolektiv që meritojmë dhe duhet të kemi për këtë shekull të mëvetësisë institucionale të shtetit shqiptar.

Nga ky këndvështrim dhe kjo dëshirë e pastër qytetarie, Vlora ka ende kohë për të programuar një regji tjetër të kremtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë. Paaftësia për t’u ngritur në këtë mision, nuk mund të justifikohet as nga ankesa e pashpallur e kryebashkiakut Shpëtim Gjika për mosinvestim fondesh nga qeveria e zotit Berisha dhe as nga hidhërimet provinciale për spostime tribunash nga Vlora në Tiranë. Sepse në fund të fundit siç e thotë Gore Vidal, “Zotat e kanë zili lumturinë e të vdekshmëve!”

Metropolet historike përjetësisht triumfojnë mbi vendimmarrjet e administratave të përkohshme. Nuk ka piedestale që e zhvendosin historinë apo meritokracinë historike. Shtatoret ngrihen në vendin ku ndodh historia, edhe pse në kohë mund të vonojë derdhja e bronzit.

Bashkia e Vlorës, në kohën e mbetur tremujore po humbet një mision natyral të vetes. Humbja nuk është përgjegjësi e vetme e Shpëtim Gjikës si kryebashkiak i qytetit, por e gjithë protagonistëve të heshtur administrativë të qarkut. Humbja prej kësaj indiference dhe paaftësie ankuese për këtë që duhet kësaj here në Vlorë i përket në masë të madhe edhe vetë opozitës, e cila jo vetëm që nuk ka kapacitet për rezistencë llogarikërkuese për monumentet dhe veprat multimiliardëshe që premton dhe harron brenda javës Kryeministri, por që nuk po ngrihet në misionin e të qenët bashkorganizatore e kremtimit të duhur për shtetin e të gjithëve. Mënimi opozitar në këtë aspekt është papërgjegjshmëri e elitës së kësaj hemisfere dhe jo mëkat i kryesuesve të hemisferës tjetër politike.

Kësaj here nuk është detyrimi që meritojnë t’u kujtojmë këtyre administratorëve të penguar apo të kapur, por është ndërgjegjja që meritojmë t’u zgjojmë. Kryebashkiaku i dikurshëm i Vlorës, poeti romantik e iluminist Ali Asllani, do të thoshte “zgjoma shpirtin Vlorë e zgjuar”… Pavarësia në Vlorë, është detyrë për të shpallur dhe afishuar me gjithë dimensionin e saj kryeneçësinë e fisme dhe të bukur të çdo qytetari vlonjat. Sepse kumti i 100-vjetorit është i përjetshëm si akti dhe vepra e historisë që bëhet dhe ngjet vetëm një herë.

Për ta fituar këtë detyrë, qarku, bashkia dhe çdo institucion publik në këtë qytet, duhet të shtytohen energjikisht dhe menjëherë nga gjithë kapacitetet njerëzore, private dhe komunitare të këtij qyteti, të shtetit, të hapësirës shqiptare. Nuk është aspak fjala për një vokacion që formëson pozicionimin e antagonizmit të shëmtuar politik mes Berishës dhe Gjikës apo tjetërkujt, por është ideja për një imponim fisnik shtetdashës, për ta shndërruar Vlorën në këtë përvjetor të 100, në një qytet ku kumti i unitaritetit dhe i ndërgjegjes sonë kombëtare, peshon dhe shijohet si frymë dhe realitet i mundshëm. Deri në këto çaste që shkruaj, institucionalizmi politik nuk e gjeneron fatkeqësisht atë, por fryma popullore lehtësisht mund ta rishfaqë dhe rizgjojë. Në Vlorë për këtë ngjarje duhet të shpërthejnë nisma të solidaritetit gjithëkombëtar. Çdo bashki e komunë e krejt hapësirës shqiptare në këta tre muaj mund të bëhen donatorë të një kremtimi me perimetër gjithëkombëtar. Nëse frymëzohet kjo nismë, atëherë Vlorës vërtet do t’i jetë rikthyer kryeneçësia e fisme dhe e bukur e këtij përfaqësimi historik dhe shqiptarët mund të filiz-ojnë një marrëdhënie të re të ndërgjegjes së tyre kolektive me shtetin.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA