ARBEN MANAJ – Spunton për sa më poshtë e mora nga një shkrim i analistit
të respektuar amerikan Janusz Bugajski për rihyrjen e mundshme të
biznesit kinez në Shqipëri.
Fjala është për tenderin për “Albpetrolin”. Shqetësimi i z. Bugajski ka të bëjë me atë se “vëllai i madh” i dikurshëm mund ta përdorë Shqipërinë për interesat strategjike dhe financiare pa kontribuar në mënyrë domethënëse në zhvillimin e vendit. Si parantezë kam qenë vetëm 11 ditë në Kinë në një udhëtim me një grup gazetarësh të BBC, kur punoja për atë institucion, për të parë përgatitjet për Olimpiadën e Pekinit.
Trajtimi në një plan makro që z. Bugajski i bën “Rrezikut kinez për Shqipërinë” mendoj se është i paqenë.
Shqipëria e ka lënë prej kohësh dëlirin e të qenët fanar ndriçues në brigjet e Adriatikut dhe siç pranon z. Bugajski, Kina kërkon të rihyjë jo nëpërmjet aleancës ideologjike komuniste si në vitin 1960.
Kina ka padyshim interesat e veta, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë e në botë, dhe është normale, siç ka çdo shtet, përfshi edhe Shtetet e Bashkuara, Britaninë etj. etj.
Por Shqipëria do të duhet të shohë interesin e vet, po ashtu.
Interesi madhor i Shqipërisë, në kushtet e një krize të madhe ekonomike, duhet të jetë shtimi i investimeve të huaja sa më shumë të jetë e mundur dhe që ato të jenë sa më të ndryshme.
Pas rënies së komunizmit, të gjitha qeveritë shqiptare me shumë të drejtë përfshi edhe këtë aktualen, u kanë kushtuar rëndësi marrëdhënieve me Kinën dhe kanë bërë shumë mirë.
Edhe Pekini nuk ka më iluzion se Shqipëria nuk ka për t’iu kthyer më kurrë në këtë botë aleancave ideologjike 20-vjeçare të viteve ‘60-‘80 të shekullit të kaluar.
Kinezët e dinë po aq mirë sa edhe ne, se shqiptarët kurrë nuk “ngjiten” me ta, qoftë për shkak të diferencave kulturore, qoftë edhe për arsye të tjera.
Kinezët e dinë po aq mirë sa edhe perëndimorët, se shqiptarët kanë për të qenë proamerikanët më të mëdhenj që mund të gjesh sot ndoshta në tërë Europën Lindore, se në Ballkan po se po.
Shqipëria duhet të jetë pragmatike dhe largpamëse në marrëdhëniet me Kinën për të thithur sa më shumë interes dhe investime nga një supershtet, që është dhe do të jetë lokomotiva e ekonomisë botërore edhe zyrtarisht shumë shpejt.
Kjo është me interes për Shqipërinë. Kjo është me interes edhe për të tjerët që zhvillojnë marrëdhënie ekonomike, tregtare dhe biznesi me Kinën.
Askush në Londër, ku ka lindur kapitalizmi, nuk shqetësohet për qëllimet e shtetit kinez kur kërkon të investojë me miliarda siç po shkruhet këto ditë në shtypin britanik për ndërtimin e pesë reaktorëve bërthamorë nga kompanitë kineze në Britani.
Anglezët e dinë se kinezët duan ta fusin në CV e tyre teknologjike se kanë investuar në një vend si Britania në fushën bërthamore, vend me kritere shumë strikte, për t’u hedhur më pas në pjesë të tjera të botës.
Dhe kjo, për anglezët me një nuhatje të jashtëzakonshme biznesi, nuk i pengon dhe as i frenon kinezet, pasi ata llogarisin se ajo që do të përfitojë është ekonomia britanike. Dhe kaq.
Kur lojtarë kaq të mëdhenj janë kaq praktikë dhe me të drejtë, përse lojtarë kaq të vegjël sa Shqipëria do të duhet të marrë përsipër rolin e Lejfenit, që qëllonte majë bunkerit dhe hëngri plumbin në ballë kur të tjerët gjuanin nga frëngjia e bunkerit?!
Edhe rusët janë futur në lojë për “Albpetrolin” në Shqipëri. Por në fund të fundit më mirë kinezët sesa rusët për tërë ato arsye dhe sensitivitete që i dimë dhe i kuptojmë të gjithë.
Shqipëria do të duhet të shfrytëzojë edhe një element tjetër në marrëdhënien me Kinën.
Kur isha në Kinë konstatova me habi që brezi i vjetër nga 40 vjeç e sipër dinin shumë për ne “Arbanianët” siç na quanin. Dinin për “I teti në bronz” dhe më kënduan edhe këngën “Ore, ore lule bore”. Kjo, për shkak të së kaluarës kur Kina shfaqte filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re” çdo javë në televizionin kinez. Dhe në këtë kategori ende me nostalgji për Shqipërinë ishin edhe sundimtarët e plotfuqishëm e të moshuar të Kinës.
Sakaq, brezi poshtë të 40-ave nuk e kishte haberin ku ndodhej Shqipëria. Nuk e kam fjalën për ata qytetarë të thjeshtë sesa për atë shtresë teknokratësh, burokratësh dhe administratorësh që janë të kudondodhur në shtetin e sotëm kinez, të gjithë të arsimuar dhe të diplomuar në Perëndim, në Oksford e Kembrixh apo nëpër universitetet amerikane.
Ndaj atyre Shqipëria do të duhet të tregojë kujdes dhe vëmendje aq sa mundet në një plan afatgjatë perspektiv.
Por edhe në një plan strategjik, Shqipëria është ajo që fiton më shumë nga futja e kapitalit shtetëror apo privat kinez në Shqipëri, pasi shanset për bizneset shqiptare në Kinë janë të pakta, përveç tregtisë dhe kontakteve me bizneset kineze tashmë të konsoliduara për tregtim mallrash kineze në Shqipëri.
Kina me politikën e “dyerve të hapura” të Ten Siao Pinit thithi me zgjuarsi dhe largpamësi të jashtëzakonshme tërë kapitalet perëndimore në Kine dhe më pas, përmes tyre, ushtron ato presione dhe ndikime nëpër qeveritë perëndimore respektive.
Atë e bën qoftë direkt, si në rastet e ndotjeve që kompanitë perëndimore shkaktojnë në Kinë dhe riskun e gjobave selektive, nëse do të duhet, ose edhe ndërmjet ndikimeve përmes biznesmenëve të huaj pranë qeverive të tyre, siç është rasti i heshtjes së dukshme perëndimore për çështjen e të drejtave të njeriut në Kinë.
Interesi ekonomik i detyron shumë qeveri të bëjnë sikur flasin, pasi janë në rrezik interesa të tjera më madhore, dhe ato janë ekonomike, pa as më të voglin dyshim.
Por në këtë botë çfarë rrotullohet kthehet sërish aty ku nisi. Edhe pse shumë minimale si mundësi dhe në përmasa krahasueshmërisht të ndryshme, çdo qeveri mundet dhe preferon të ushtrojë ndikime politike ndaj Pekinit, aty ku Kina ka interesa të bëjë politikë të madhe dhe ka interesa të mëdha ekonomike.
Por qoftë edhe e nënkuptuar, qoftë edhe një marrëdhënie pozitive ndikon në politikat shtetërore, si dhe në ndryshimin e qëndrimeve klasike diplomatike për çështje specifike në marrëdhëniet dypalëshe dhe më gjerë.
Në politikën dhe diplomacinë e sotme kjo bëhet edhe si gjest i një vullneti të mirë, apo mirënjohje, pasi gjithçka është llogari…
Shqipëria nuk ka ç’humbet nga Kina, superfuqi ekonomike dhe politike në këtë shekull, i cili po cilësohet shekulli i Kinës. Përkundrazi.
Nga kjo lidhje nuk duhet të shqetësohen edhe miqtë perëndimorë të Shqipërisë kapitaliste, pasi orientimi dhe vokacioni politik shqiptar drejt vlerave demokratike perëndimore janë të përcaktuara dhe s’ka më kthim mbrapa.
Për më tepër, edhe centuari kinez me kokë politike dhe trup kapitalist s’ka iluzion për këtë.
Top Channel