Kostoja e kasave fiskale

29/07/2012 15:05

Në mesin e vitit 2010, qeveria shqiptare nisi më në fund të zbatonte projektin shumëvjeçar të kasave fiskale.

Ligji për procedurat tatimore detyronte shumicën dërrmuese të sipërmarrjeve që të pajiseshin me kasa, të cilat do të regjistronin online çdo shitje, blerje apo veprim financiar të biznesit.

Ligji kishte disa objektiva, ku më kryesorët ishin rritja e të ardhurave përmes uljes së informalitetit dhe krijimi i kushteve të barabarta në treg për biznesin.

Por, cilat kanë qenë rezultatet? Të dhënat zyrtare të Mininistrisë së Financave tregojnë se për gjashtë muajt e parë të këtij viti, të ardhurat në buxhet janë rritur me vetëm 4.8 për qind krahasuar me gjashtëmujorin e parë të 2010-ës.

Kjo rritje minimale nuk justifikon dot as efektin natyral që vjen nga rritja e përgjithshme e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve në treg, ndërkohë që gjatë kësaj periduhe qeveria ka rënduar barrën fiskale përmes rritjes së disa taksave si ajo e karbonit dhe efekti në tatimin mbi vlerën e shtuar.

Shifrat tregojnë se pajisja e biznesit me kasa nuk i ka përmirësuar të ardhurat në buxhetin e shtetit. Përkundrazi, rendimenti fiskal i qeverisë, i matur si raport i të ardhurave nga taksat përmbi prodhimin e përgjithshëm kombëtar, vazhdon të përkeqësohet.

Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar në fund të vitit 2011 ky tregues ishte 1.1 pikë përqindje më i ulët se në 2008-ën. Dy vjet pas nisjes së projektit, vendosja e kasave më shumë se ulje të evazionit ka sjelle një tjetër efekt për biznesin. Atë të rritjes së barrës administrative.

Përtej çmimit të lartë me të cilin u shitën në fillim, që qeveria u detyrua ta kompesojë pasprotestave të biznesit, kasat kanë dhe një kosto të lartë mirëmbajtje, e cila shkon deri në 9600 lekë në vit.

Për shumicën e bizneseve të vogla, mirëmbajtja e kasave rrit deri në 10 për qind apo edhe më shumë barrën tatimore, para të cilat nuk shkojnë në buxhetin e shtetit, por si të ardhura për disa kompani private të licencuara nga qeveria.

Sipas Drejtorisë së Tatimeve, në total deri tani janë mbi 58 mijë biznese që kanë vendosur kasat fiskale, që do të thotë se vetëm tregu i mirëmbajtjes arrin deri në 5.6 milionë dollarë në vit.  

Ndaj dy vjet më pas pyetja që lind është, cili ishte objektivi i pajisjes së biznesit me kasa, ulja e evazionit apo krijimi me ligj i një tregu që xhiron miliona dollarë në kurriz të biznesit.

Top Channel