Arrestohet punëtori, ishte paguar me hashash

26/07/2012 00:00

Një punëtor i parcelave me hashash në fshatin Lazarat në Gjirokastër
është arrestuar nga policia për posedim të lëndës narkotike. Lavdim
Turtulli, 22-vjeç, nga Librazhdi, është prangosur me pesë kilogramë
hashash, të cilën, jashtë dëshirës së tij, e posedonte si shpërblim të
punës së kryer tek disa kultivues të hashashit në Lazarat.

Lajmi bëhet i ditur nga “Shqip”, qe citon burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në vijim të operacioneve që tentojnë të godasin kultivimin e drogës në Lazarat. Sipas komunikatës së datës 25 korrik 2012, të kësaj drejtorie, bëhet e ditur se “Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, si dhe nga veprimet e para hetimore të kryera nga ana e Specialistëve të Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, rezultoi se ky shtetas kishte punuar në fshatin Lazarat rreth tre muaj tek disa banorë për të kultivuar bimë narkotike dhe, në këmbim të lekëve, ka marrë lëndën narkotike që do ta transportonte në drejtim të Elbasanit, për ta shitur në sasi të vogla për përdorim të brendshëm”.

Në këtë pohim publik të policisë, padashur zbulohet lehtësisht fakti i bashkëpunimit mes saj dhe prodhuesve të hashashit të Lazaratit, për të “ushqyer” policinë me viktima, me qëllim që kjo e fundit, formalisht, të rezultojë e “suksesshme” në operacionet e saj, që vazhdojnë pa asnjë rezultat prej afro tre muajsh pa bërë goditje të drejtpërdrejtë mbi kultivuesit.

Sipas komunikatës, bëhet e ditur se prej saj janë evidentuar në këtë rast tre shtetasit nga Lazarati dhe po punohet për dokumentimin me prova ligjore te veprimtarisë së tyre kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Por, duhet thënë se prej fillimit të vitit deri tani, ndonëse numri i personave të evidentuar ka arritur në më shumë se 100, asnjë prej tyre nuk është arrestuar dhe dënuar. Ndërsa për “viktimën” e radhës, policia vazhdon komentin e saj se “për t’iu shmangur pikës së Kontrollit në Kordhocë ky shtetas ka lëvizur nëpërmjet kodrave të fshatit Lazarat që lidhen me lagjen “Zinxhira” të qytetit të Gjirokastrës, dhe përsëri, për t’iu shmangur postbllokut të Ujit të Ftohtë Tepelenë, ky shtetas do të zbriste nga automjeti në afërsi të postbllokut dhe do të përdorte pyllin e Ujit të Ftohtë për të kaluar me këmbë, me qëllim shmangien e kontrollit të policisë”.

Përfundimisht, në të ashtuquajturin operacion antidrogë, gjatë së cilit policia pretendon se ka goditur kultivuesit në Lazarat, rezultati është ky: arrestohet 22- vjeçari Lavdim Turtulli nga Librazhd me 5 kg hashash të marrë në këmbim të punës së kryer në parcelat e Lazaratit dhe evidentohen 3 kultivues, emrat e të cilëve as që nuk bëhen të ditur nga policia, sepse kjo do ta demaskonte keq në opinion, pasi të gjithë “të evidentuarit” si kultivues në listat e policisë lëvizin lirshëm në bizneset e tyre të ngritura me lekët e drogës në qytetin e Gjirokastrës.

Top Channel