Qytetërimi mjedisor

24/07/2012 00:00

NDUE DEDAJ – Tani që vapa e korrikut na zë frymën vrapojmë për
atje ku natyra na fal pak freski, te deti, lumi, ujëvarat, livadhet,
pemët, blerimi. Themi pak, se shumë nuk ka fuqi, ngaqë nuk është më, jo
vetëm natyra hirplotë e kohës kur i këndonte Naimi me aq shndritje e
madhështi, por as ajo që na mbërriti deri në ’90-ën.

Turremi, pra, për atje ku ishin krojet, sikur nuk jemi ne ata që e kemi zënë më shkopinj natyrën, me sëpata, kazma, beton. Aq sa diku-diku është tjetërsuar krejtësisht peizazhi i dikurshëm virgjëror. Prandaj kambanat që bien për mjedisin lipsin dëgjesë absolute nga të gjithë. Nuk është çështje vetëm e ekspertëve mjedisorë apo të pasionuarve pas natyrës. Fjala është për një qytetërim mjedisor, nëse mund ta quajmë kështu. I gjithë planeti zien nga shqetësimi se natyra po na shprishet në sytë tanë, nga “duart” tona, nga ndërtimtaria e shfrenuar gjithkah, nga gërryerjet e dherave, prerjet e drurëve, nga plaçkitja e visarit ekologjik. Politikat e niveleve më të larta amerikane e europiane, agjencitë e shumta të mjedisit po bëjnë çmos që të dilet nga ky kaos dhe në marrëdhëniet e njeriut modern me natyrën të vendosen norma strikte. Si me thënë krijimi i një kushtetute të natyrës. Idetë, vizionet, platformat për këtë janë të atyre, kurse roli ynë si qytetarë mbetet përkushtimi për t’i shërbyer mjedisit.

Qyteti, lumi dhe lulet

Ka një lidhje të fortë mes qytetit dhe lumit, sa shpesh kur thua njërin të nëpërmendet dhe tjetri: Shkodra dhe Buna, Lezha dhe Drini, Tirana dhe Lana, Berati dhe Osumi, Librazhdi dhe Shkumbini etj. Ashtu siç kemi një varg qytetesh me liqene e dete, një luks që nuk e kanë shumë qytete të “mbyllura” europiane, që nuk puthin askund në det. Por jo përherë mes qytetit dhe lumit ka pasur një marrëdhënie “miqsh”, atëherë kur banorë e drejtues vendorë e shohin lumin dhe si një depozitë të mbetjeve urbane, ujërave të zeza etj. Qyteti mjedisor nënkupton asfalt e trotuare, por sidomos gjelbërim, ndriçim, estetikë të lartë. Në qytetet tona i vështron të dy pamjet, dhe lulishte të hijshme pa shkurre e murriza që të shpojnë gishtat, dhe trotuare të shkërmoqura pa gjelbërim përreth. Reklamat e stërmëdha janë një ndotje më vete e peizazhit urban. Po cila do të ishte pamja e dëshiruar? Ka shumë qytete në botë që identifikohen me lulet. Çdo vit Holanda eksporton rreth 1 miliardë tulipanë dhe ka mundësi të prodhojë në vit nga dy lule tulipani për çdo banor të botës, kështu që çdonjëri prej nesh i ka dy lulet e tij atje. Turistët i vizitojnë me kënaqësi fushat e mbjella me tulipanë, tradita e të cilëve ka 400 vite. Por dhe në Shqipëri ka qytete që kanë kultin e luleve. “Në qytetin tonë, në Shkodër, një ndër mrekullitë ka qenë Dita e Luleve. Lulet janë të të gjithëve, s’bëjnë dallim. Shkodra ka dhe një veçanti, ka 150 këngë për lulet, sa asnjë qytet tjetër në Ballkan. Kjo sepse femrën e kanë krahasuar me lulen. 6 maji këtu festohet me koncerte. Është një traditë që po ripërtërihet”, thotë në një intervistë këngëtarja e njohur shkodrane, Myfarete Laze. Mund të vazhdohej më tej me këtë motiv qytetarie, si me Përmetin, qytetin e trëndafiltë, ku ngjyrat e pafundme të luleve dhe kaltëria e pashoqe vjosiane janë shndërruar në muzë e poetëve të begatë të atyre trevave jugore. Siç ka qytete që identifikohen, kush me mollët, kush me blirët, apo rrugë të “dizajnuara” nga kumbullat e kuqe etj. Ama kohët moderne, qyteteve, sikur ua kanë pakësuar lulet, tingujt, serenatat, intimitetin me natyrën e parkut, duke shtuar zhurmat, betonin, reklamat etj. Kurorat e gjelbra të tyre janë mbytur nga godinat e banimit etj.

Tirana, në kërkim të një identiteti të ri ekologjik?

Por a ka shpresë se diçka e mirë do të ndodhë? A është duke u përvijuar diku-diku modeli ndryshe i kësaj sjelljes sonë bastarde me natyrën? Ka gjasë që Tirana, me projektin e saj të bulevardit të ri, është duke iu afruar më shumë natyrës së gjallë, duke u zgjatuar qyteti andej nga Paskuqani. Bulevardi i Madh nuk do të jetë vetëm një ëndërr, por një ditë do të nisemi nga Universiteti, për atje ku Lumi i Tiranës do të jetë një stacion i ri yni. Vërtet që mund të mos ketë atë ngjyrën e papërsëritshme të Valbonës, por gjithsesi do të jetë një lumë i kthjelltë, pa ndotje, ashtu siç ai është derisa zbret nga Brari në Tufinë. Nuk do të zvarritet si Lana, që më së shumti i ngjan një kanali kullues fushor sesa një lumi të mirëfilltë, por me siguri që do të na magjepsë si çdo lumë që del nga grykat malore. Artur Zheji, në një nga shkrimet e tij, sikur e pikturon atë rajon të ri të perspektivës kryeqytetase: “Me këtë projekt, Tirana fiton në orbitën e vet një lumë të dytë, Lumin e Tiranës, një lumë të vërtetë, i cili do të jetë një dimension i kaltër i rrethuar nga gjelbërimi dhe poezia urbanistike që sendërton vetë lumi në të gjithë botën. Mos harroni se legjenda e lindjes së Parisit thotë se filloi me një han ngritur buzë Lumit Sena, ku ushtarët romakë ndalonin shpesh për të shuar etjen e kuajve të tyre. Pra Parisi lindi nga lumi. Ashtu si dhe shumë qytete të tjera të mëdha dhe të “pavdekshme” lindën nga Lumi. Roma, Budapesti, Vjena, Beogradi, Shën Petersburgu…” Atëherë, jashtë politikës, po në emër të qytetarisë, kryebashkiaku Lulzim Basha meriton përgëzime për këtë nismë të çmuar. Qyteti i një milion banorëve meriton t’i ketë të tijat parqet e blerta në disa anë. Epo, tani gjete ta thuash këtë? Tani që ai “preu” drurët e parkut të Tiranës? Natyrisht që gjithë njerëzit, qortuesit e sertë, mjedisorët e palodhur e të tjerë janë në të drejtën e tyre të shqetësohen për prerjen e pemëve dekorative te Rruga e Elbasanit. Bile më shumë se protestat për raste të veçanta, para disa vitesh në Vlorë e tash në Tiranë, do të ishte me vend një debat i gjerë publik, mediatik e politik, nëse krahas shkatërrimeve pyjore e ekologjike rurale, që zakonisht ia lëmë tranzicionit, po humbasim po kaq territor të gjelbër nga ndërtimi i pallateve, rrugëve, tuneleve, punishteve etj? Është e pakuptimtë që dikur në pyjet e Pukës a Librazhdit nuk mund të pritej dhe një lis pa damkën e teknikut të pyjeve, si kudo në botën e qytetëruar, kurse sot me urdhra apo pa urdhra pritet jo një lis e një pishë, por krejt materiali drusor i sheshit të ndërtimit. Por sigurisht që do të ndërtohet. Dhe sidomos një kryeqytet nuk mund të zhvillohet pa guxim të madh. Ndaj, siç zoti Basha kritikohet për drurët e prerë te Rruga e Elbasanit, ashtu duhet “dekoruar” për projektin madhështor që bashkia ka ndërmarrë për zgjerimin cilësor të kryeqytetit. Mund të thuhet, po prit njëherë të nisë puna, të vihet guri i parë etj. “Guri i parë” është pikërisht ideja dhe fillimi i punës për materializimin e saj, që është projekti i bërë publik etj. Kështu qenë pritur dhe nismat e Ramës dhjetë vjet më parë, për ndryshimin rrënjësor të Tiranës, por sot të gjithë i gëzohen progresit urban të kryer nga ai. Ka qenë zakon që dikujt që punon mirë t’i thuhet: “puna e mbarë”. Të mos e kursejmë këtë urim dhe për Lulzim Bashën, për nismën e tij për një tjetër “Tiranë të re”… ndryshe nga ato që deri tani kryeqyteti ka parë, ku si duket i pari është dimensioni mjedisor, pse jo dhe turistik.

E nesërmja: bar apo beton?

Nuk mund të mos thuash se ende je në dilemë, e nesërmja do të jetë më shumë bar apo beton? Nuk është fjala për të mos shkulur bar e “mbjell” hekur e beton aty ku është e domosdoshme, por shpesh në emër të ndërtimit të veprave të mëdha, është zhbirë pylli, lumi, gërmadhat me relikte monumentale, identiteti malor, mjedisor shqiptar. Duhej të ishim treguar më të kursyer dhe kur kemi ndërtuar rrugët e pallatet. Vërtet që ndërtimet nuk bëhen në hava, por dhe ta vrasësh natyrën me harbutëri nuk falet. Përpara kemi zgjedhjet e përgjithshme të vitit tjetër. Të vjen  të thuash, a bëhemi “grup” dhe votojmë atë alternativë që na e rikthen natyrën, që na e bën Lurën siç ka qenë, që i kthen njerëzit në “ara, fabrika e kantiere”, se nuk ndërtohet ndryshe i bardhi kapitalizëm, duke u shulla në diell e dendur me thashetheme kafeneve. Nuk është turp të mbjellësh grurë, pemë, lule. Përkundrazi është si një urdhër i ri shqiptar e planetar. O sot, o kurrë për natyrën.

Gazeta “Shqip”

Top Channel