Lotaria, përfundon “loja”

24/07/2012 00:00

Ministria e Financave ka shpallur një ditë më parë pa zhurmë rezultatin e
vlerësimit për tenderin e Lotarisë Kombëtare, duke nxjerrë në vend të
parë, ashtu siç ishte parathënë, kompaninë austriake, “Austrian
Lottery”.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, i drejtuar nga sekretari i Mnistrisë Dorian Teliti ka konfirmuar, kështu rezultatin e bërë publik në media, që para se të zhvillohej tenderi duke shtuar edhe më shumë dyshimet për fitues të paracaktuar.

Pas shpalljes së rezultatit kompania tjetër pjesëmarrëse, e renditur e dyta ka në dispozicion një afat të caktuar kohor për të ankimuar rezultatin, një formalitet pas mbylljes së të cilit vendimi merr formë zyrtare.
Shpallja fituese e “Austrian Lottery” ishte paralajmëruar, nga disa kompani të skualifikuara që para se të zhvillohej tenderi, të cilat akuzuan qeverinë për një garë fiktive me fitues të paracaktuar. Përmes këtij vendimi qeveria i jep kompanisë austriake monopolin dhjetëvjecar të shtatë lojrave të fatit, kundrejt çmimit simbolik 3.5 milionë euro, një nga pikat më të dyshimta dhe të përfolura të këtij tenderi.

Qeveria e justifikoi procedurën e shumëkundështuar të tenderit më dy argumenta. Së pari që kështu do të ndalte hyrjen e kapitaleve të dyshimta në vend, duke u dhënë mundësi të garonin vetëm kompanive serioze, pa probleme me drejtësinë.

Por ky argument u lëkund pak pak javë më parë, kur “Austrian Lottery” kompania fituese, u vu zyrtarisht në hetim nga parlamenti Austriak për qarkullim kapitalesh të dyshimta në politikë dhe blerje të politikanëve për të mbajtur monopolin në treg.

Argumenti i dytë i qeverisë ishte se çmimi i ulët i shitjes do të kompensohej përmes taksave, sipas saj të larta mbi kompaninë fituese. Por edhe ky pretendim rrëzohet kur taksat e vendosura mbi kompaninë në Shqipëri krahasohen me ato të vendeve të tjera. Sipas krahasimeve, kompania austriake që tani do të ketë monopolin e pjesës dërrmuese të tregut të kumarit në Shqipëri do të paguajë taksa në buxhet dy herë më pak se sa paguan në vendin e saj, Austri. Tenderi i Lotarisë Kombëtare mbetet një nga tenderat më të dyshimtë dhe të përfolur, ku qeveria kufizoi në ekstrem konkurrencën, paracaktoi çmimin minimal të shitjes pa garë dhe ka vendosur mbi kompaninë një barrë minimale taksash krahasuar me vendet e tjera. Tani me shpalljen fitues të kompanisë që ishte përfolur, si e tillë ende pa u zhvilluar tenderi, dyshimet bëhen edhe më të forta.  

Top Channel