Lekë false në Tiranë

23/07/2012 00:00

Panik te qytetarët e Tiranës për futjen në qarkullim të kartëmonedhave
false. Alarmi jepet nga dyqanet dhe karburantet, të cilat konsiderohen
si “bursa” e lekëve false, pasi janë këto biznese që bien të parat pre e
falsifikatorëve të letrës së “çmuar”.

Ditët e fundit janë raportuar dhjetëra raste kur qytetarë të thjeshtë kanë pasur në përdorim kartëmonedha false. Gazeta “Shqip” disponon kartëmonedha false të prerjes 500 lekëshe, e cila mësohet se është më e përhapura nga “tregu. Ajo është e prerjes më të vogël se një kartëmonedhë origjinale dhe ka një shpëlarje të bojës.

Duket që kopjimi lë shumë për të dëshiruar, megjithëse “prodhuesit” janë munduar që letrën ta bëjnë pak të vjetër, me qëllim që të mos bjerë në sy. Nëse gjendet në një tufë me 500 lekësha, atëherë kjo kartëmonedhë, me një shikim me sy të lirë, nuk mund të zbulohet.

Ndërkohë, Policia e Tiranës, e pyetur për këtë problem, pohon se janë marrë disa denoncime ditët e fundit dhe rastet po verifikohen, nëse kartëmonedhat false kanë apo jo të njëjtën “fabrikë”, e cila mund të jetë një fotokopje me ngjyra shumë cilësore.

“Disa komisariate kanë denoncuar futjen në qarkullim të parave false në Tiranë. Në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë po punojmë për të zbuluar origjinën nga janë futur këto para”, pohojnë burimet nga policia. Nga ana tjetër, ekspertët e fushës këshillojnë qytetarët mbi mënyrat për të njohur paratë e falsifikuara. Motoja e ekspertëve është: preke, shikoje, lëvize kontrolloje.

 

Top Channel