Rindërtimi i Shtëpisë së Republikës

22/07/2012 00:00

Ministria e Kulturës ka aprovuar kërkesën e Bashkisë së Korçës për rindërtimin e shtëpisë ku u ngrit flamuri i Krahinës Autonome të Korçës në vitin 1917.  

Shembja përpara disa ditësh e kësaj godine historike kishte ngritur shqetësimin e specialistëve të fushës, por edhe të opinionit publik. Zv.ministri i Kulturës Abaz Hado njoftoi se institucioni që ai përfaqëson është vënë në dijeni të shëmbjes së godinës nga një kërkesë për hetim e Drejtorisë Rajonale të Kulturës në Korçe, por ka marrë kohën e duhur për të shqyrtuar dokumentacionin përkatës.

“Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në zbatim të ligjit nr.9048, datë 07/04/2003 për trashëgiminë kulturore i ndryshuar dhe me VKM nr.238 datë 23/03/2011 për shpalljen e qendrës historike të qytetit të Korçës dhe administrimin e saj, do të hartojë projektin e banesës dhe do të bashkëpunojë me Bashkinë e Korçës për rindërtimin e plotë të saj”, tha zv/ministri Hado.

Hado është shprehur se është e qartë që shembja e godinës nuk ka ndodhur për shkaqe natyrore por ka qenë e qëllimshme. Ai ka thënë se banesa e cila është ndërtuar në vitin 1884, ka qenë në gjendje të mirë dhe është mirëmbajtur nga Bashkia e Korçës të cilës i bie përgjegjësia administrative për këtë objekt kulture të kategorisë së parë.

Zv. Ministri ka deklaruar se ka filluar hartimi i projektit për rindërtimin e godinës historike në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale dhe se Ministria e Kulturës e mbështet plotësisht rindërtimin e kësaj shtëpie muze. Menjëherë pas shembjes Bashkia e Korçës deklaroi mbulimin e shpenzimeve për rindërtimin e saj.

Top Channel