Një rrugë, dy standarde

22/07/2012 00:00

Një javë më parë pesë persona humbën jetën ndërsa tetë të tjerë u plagosën tek sa udhëtonin përgjatë ‘arteries’ kryesore që lidh Shqipërinë me Kosovën, autostradës Durrës-Kukës-Morinë.

Sipas policisë, shkak i këtyre asidenteve është shpejtësia e lartë me të cilën po udhëtonin këta persona, të gjithë turistë nga Kosova. Por nga ana tjetër, burim aksidentesh tragjike përbën edhe cilësia e rrugës si dhe sinjalistika e cila në 170 kilometrat brenda kufirit të Shqipërisë lë shumë për të dëshiruar.

Një panoramë krejt tjetër, e standardeve më të larta paraqitet në pjesën brenda kufirit të Kosovës e që përfshin segmentin nga Morina në Suharekë. Kjo reflektohet edhe në numrin e aksidenteve të cilat në këtë pjesë të ‘Rrugës së Kombit’ kanë qenë më të pakta dhe me pasoja të lehta. Në një vëzhgim krahasues të pjesës brenda Shqipërisë me atë brenda Kosovës ndryshimet vërehen qartë.

Nëse në anën e Kosovës tabelat të orientojnë mirë në drejtim të qytetit ku do të shkosh, në segmente të caktuara brenda kufirit të Shqipërisë ato janë thuajse inekzistente.

Në rrugën e Kosovës kufizimet e shpejtësisë për automjetet janë të vendosura në asfalt ndërsa në rrugën e Shqipërisë ato janë të improvizuara, dëmtuara dhe mungojnë tërësisht në disa pjesë.

Një tjetër element që rrezikon jetën e udhëtarëve pjesen e shqiperise janë trafikndarëset të cilat janë të improvizuara dhe nuk kanë sinjalistike, ndërsa në rrugën e Kosovës, trafikndarëset janë qartazi të shënuara me sinjalistikë fosforeshente që dallohen edhe natën.

Rrugët lidhëse në pjesën shqiptare dalin menjëherë në shtratin e autostradës, në disa kalime të improvizuara, ndërkohë që në rrugën e Kosovës, hyrja dhe dalja nga rruga është e ndërtuar me parametra dhe me sinjalistikën e duhur që shmang aksidentet.

Në Kosovë faqet anësore të maleve janë ndërtuar me breza që nuk lejojnë rënien e gurëve në shtratin e rruges ndërsa në pjesën brenda kufirit të Shqipërisë edhe pse janë vendosur rrjeta të posacme, ato nuk kryejnë funksionin e tyre duke shkaktuar rënien e gurëve në rrugë, cka sërish rrezikon automjetet që përshkojnë këtë segment rrugor.

Top Channel