Në anketën e fundit të “Biznes Albania” me mbështetjen e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ILO rezulton se rreth 40 përqind e biznesve japin para nën dorë tek nënpunësit e shtetit për të mbaruara punë shpejt dhe pa zhurmë.

Ndërkohe 53 përqind e bizneseve të pyetura thonë se mënyra më mirë të bësh biznes është pagesa e detyrime të deklaruara ndaj shtetit dhe se nuk shohin zgjidhje tjetër përvec saj.

Anketimi është kryer me 500 ndërmarrje ku mbi 44.4 përqind e tyre i përkasin sektorit të tregtisë dhe 15.8 përqind i përkasin biznesit prodhues. Në anketim 37 përqind e biznesve thonë se pagesa nën dorë, pra korrupsioni ka kosto më të ulët për ta, ndërsa 10 përqind thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër vecse të kryejnë pagesa korruptive.

Pjesa e anketimit ishin edhe pyetjet se cila janë arsyet që bizneset kryejnë pagesa nën dorë? Duke i ndarë përgjigjet sipas pengesave me intensitet më të lartë anketimi nxjerr përfundimin se 90 përqind e  biznesve vlerësojne se shkaku i parë është efikasiteti i ulët i administratës shtetërore dhe gjyqësorit dhe shkaku i dytë është korrupsioni.

Ndërkohë presioni ndaj biznesit, presioni i mitmarrjes dhe kontrollet shtetërore për efekt presioni, sipas bizneseve janë disa nga shkaqet e tjera. Të gjithë këta  faktorë, sipas 500 bizneseve të pyetura, mendojnë se nga njëra anë shteti me mungesën e dëshirës dhe paaftësinë për të kryer shërbime korrekte dhe korrupsioni po shtypin rëndë aktivitetin ekonomik.

Ndër shkaqet e tjera që nxisin korrrupsionin, biznesi vlerëson edhe numrin e madh të lejeve, proceduarat e gjata për të mbyllur një biznes dhe pamundësinë për të marrë kredi.

Por  cila është zgjidhja?  Gati 83 përqind e bizneseve të pyetura thonë se është krijimi i Gjykatës Administrative pasi ajo do të ulte kostot, por që fatkeqësisht krjimi i kësaj strukture edhe pse e mirëpranuar nga të gjithë, ka mbetur prej kohësh peng i politikës.

Top Channel