Socialistët dhe Demokratët bashkuan të enjten votat për të miratuar
Reformën Zgjedhore.Larg debateve të nxehta politike, u kaluan me
konsensus mes dy partive te medha dhe kundërshtimin e aleatëve të
vegjel, të gjitha pikat e ndryshimit të Kodit Zgjedhor.

Kryeministri Berisha e përshkruajti miratimin e Kodit të ri Zgjedhor, si një votim i veçantë. Ai ka përgëzuar punën e 7 anëtarëve të Komisionit të Reformës Zgjedhore, duke theksuar se tashmë me këtë kod adresohen të gjitha rekomandimet e ODIHR.

Zoti Berisha e ka cilësuar, si të mirë Kodin Zgjedhor të përdorur në zgjedhjet e 2009-tës. Gjithashtu kreu maxhorancës mbroi mënyrën se si u trajtuan votat e hedhura gabim gjatë zgjedhjeve të 2011-ës. Zoti Berisha është ndalur edhe në shqetësimet e aleatëve.

“Ligji është një dëshmi tjetër, një histori në të cilën nuk ka të humbur, fitojnë të gjitha palët, një shembull që duhet të frymëzojë forcat politike të vendit, të cilat nuk mund të udhëhiqen kurrë nga parimi: E tera ose asgje! Dy fjalë për aleatët…po të kisha qenë sot në vendin e tyre, ju garantoj se ligjërata më të forta seç mbajtën ata do të mbaja kundër Sali Berishës dhe Edi Ramës. Por një dallim duhet të bëj. Të gjithë ata të cilët duan të lexojnë traktate, libra, romane apo novela, mbi dashurinë dhe tradhëtinë, le të lexojnë historinë e aleancave të Edi Ramës me aleatet e tij dhe të lexojnë pastaj besnikërinë e Sali Berishës ndaj aleatëve të vet. I garantoj aleatët që nëse nuk arrita të realizoj qëllimet e tyre të ndershme, ju ofroj besnikërinë time të palëkundur, në një aleancë që do të fitojë zgjedhjet në vitin 2013”, tha Berisha.

Kryerepublikani Fatmir Mediu një prej aleatëve qeverisës të zotit Berisha ka shpjeguar votën e tij kundra këtyre ndryshimeve në Kod.

“Kjo është e 16-ta reformë zgjedhore në Shqipëri, e 16-ta në 22 vite, por unë do të thosha është e 16-ta marrëveshje ndërmjet PD-së dhe PS-së, me tendencë të qartë për të krijuar një monopol në jetën politike shqiptare. Kjo marrëveshje ndërmjet Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste nuk është Reformë Zgjedhore. Kjo nuk i jep asnjë shans qytetarëve shqiptarë që me votën e tyre të gjykojnë dhe vendosin se kush është e ardhmja. A garantohet barazia e votës, që është e shprehur në Kushtetutë? Kam bindje të thellë se nuk garantohet. Nuk ka barazi në vlerë. Vota e qytetarit në Kukës apo në Konispol, nuk është e barabartë me votën e qytetarit në Tiranë apo në Fier”, tha Mediu.

Ndërsa Vangjel Dule, aleat i PS-së megjithëse votoi pro edhe ai shpalosi njëherë pakënaqësitë.

“A ka njeri që mund të na japë siguri se me këto ndryshime Shqipëria pas zgjedhjeve të ardhshme do të jetë midis 40 vendeve që kanë demokraci të plotë zgjedhore? A ka dikë që mund të na japë garancinë se në Shqipëri qytetarët do të kenë besim se me votën e tyre do të ndryshojnë qeverinë? Zotërinj, unë kam edhe një pyetje, skenarin festiv kush do ta mbajë pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të radhës?”, tha Dule.

Deputeti Socialist Damian Gjiknuri bashkëkryetar i Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore u shpreh se ndryshimet krijojnë shpresë por jo triumf.

“A i arriti opozita të gjitha ato që dëshironte? Nuk i arriti, por perfeksioni dhe irealja nuk mund të vrasë realen. Duke thjeshtuar procedurat e votimit dhe të numërimit, duke rritur transparencën dhe duke forcuar ndëshkimin i dhame jetë një organi të ri të administrimit të zgjedhjeve, duke ndërprerë para kohe mandatin aktual të KQZ, si një shembull të qartë që ajo që ndodhi të mos tolerohet më”, tha Gjiknuri.

Kodi Zgjedhor kaloi me 128 vota pro, dy kunder, ato te Mediut dhe Oketes dhe nje vote abstenim, ajo e ministrit te Shendetesise, Vangjel Tavo. Per LSI abstenimi i saj lidhet me faktin se ne Kodin e Ri nuk eshte marre parasysh korrektimi kombetar i proporcionalit.

PDIU kundër Kodit Zgjedhor

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar për votimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ndryshime të arritura me konsensus mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste të cilat i votuan bashkarisht në Kuvend.

“Edhe njëherë dy partitë e mëdha vendosën që me arrogancën e kartonave të kalojnë në Kuvend një kod zgjedhor selektiv. PDIU, në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme, nuk u bë palë në këtë proces për arsye parimore”, thuhet në deklaratën e PDIU-së duke rënditur edhe 4 arsyet se pse dy deputetët e kësaj force politike nuk votuan ndryshimet.

E para sipas PDIU-së, Kodi Zgjedhor lë në fuqi numërimin militantesk me dëshirën e dy partive të mëdha për të mos qenë thjesht administruese të zgjedhjeve, por padrone të tyre. Së dyti, sistemi prodhon pabarazi në përfaqësimin e votës duke krijuar, sipas PDIU-së, pragje artificial në qarqe të ndryshme. Arsyeja e tretë që dy deputetët e kësaj force politike nuk votuan këto ndryshime ishte se sistemi është huazuar nga vende të rajonizuara,që s’kanë kurrëfarë lidhje me aktualitetin shqiptar.

Arsyeja e fundit për mosaprovimin e ndryshimeve, ishte se në to nuk përfshihej edhe mundësia që emigrantët të votonin.

“Këto qëndrime tonat janë parimore, të deklaruara që në fillim të herës, përpara krijimit të komisionit të posaçëm parlamentar. Ato qëndrojnë të tilla edhe pse në pikëpamjen elektorale PDIU është mjaft komode edhe me sistemin aktual zgjedhor, pasi në mendimin tonë, përpara interesave personale e partiake duhet të qëndrojë interesi kombëtar”, vijohet në deklaratën e PDIU-së, forca politike e bashkuar së fundmi me koalicionin qeverisës.

Nishani përshëndet konsensusin

Presidenti i zgjedhur i Republikës zoti Bujar Nishani përshëndet sinqerisht votimin nga Kuvendi i Shqipërisë dhe miratimin konsensual të Kodit të ri të Zgjedhjeve.

Me ane te nje deklarate presidenti i ri thote se ky akt i përgjegjshmërisë dhe pjekurisë së klasës politike, si produkt i frymës së bashkëpunimit konsensual parlamentar është një garanci e shtuar në shërbim të një prej proceseve themelore të demokracisë funksionale, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Presidenti i zgjedhur i Republikës shpreh besimin e tij të plotë për vijimin dhe konsolidimin e kësaj fryme mirëbesimi dhe bashkëpunimi midis maxhorancës dhe opozitës dhe në çështje të tjera të rëndësishme të reformave të kërkuara.

Top Channel