Nju Jork, qyteti i jetëgjatësisë

19/07/2012 00:00

Më shumë se oaz i jetës moderne. Vendi ku jetohet gjithmonë e më shumë
është edhe qyteti që nuk fle kurrë: Nju Jorku. Jo se nuk ka qenë
gjithmonë kështu, përkundrazi. Arratisja nga Nju Jorku, më parë sesa një
film ishte një realitet: kush arrinte të bënte ca dollarë, ndoshta disa
qindra mijëra dollarë, ishte gati t’ia mbathte në brigjet e ngrohta, më
të qetë, por mbi të gjitha më pak të kushtueshëm të Floridës.

Tani jo. Nga 1987 deri në 2009-n, mosha mesatare e jetës së njerëzve është rritur me dhjetë vjet: një rekord ky në të gjitha vendet e SHBA-së. Për të qenë më të saktë, 13.6 vjeç më shumë për burrat dhe 7.2 për gratë, që edhe këtu e ndiejnë boshllëkun e pagës më të ulët dhe kujdesit për fëmijët. Po kujt i duhet dorëzuar merita e këtij revolucioni? Pikërisht atij Mike Bloomberg, kryetarit të bashkisë, miliarderit që e transformoi metropolin më kaotik të botës në një oaz mirëqenieje. E në fakt, verdikti ka ardhur nga një “gjykatës” që qëndron përtej çdo dyshimi: revista “Lancet”. Që ashtu siç dihet, përveçse është një revistë prestigjioze mjekësore është edhe britanike: për këtë arsye nuk mund të gjykohet si e anshme. E në fakt, kjo arritje e qytetit të grataçielave edhe në fushën e shëndetësisë është fryt i viteve të fushatave sensibilizuese jo pak herë të shoqëruara me polemika dhe kritika. Ju kujtohet kur në majin e vitit të kaluar kryebashkiaku vendosi të shuajë cigaren e fundit të Nju Jorkut? Tashmë ai ligj që ndalon duhanin në parqe dhe në plazh aplikohet edhe për në shtëpi. Shumë rregulla nuk të lejojnë të pish cigare as në shtëpinë tënde, nëse anëtarët e tjerë nuk janë duhanpirës. Beteja e fundit është ajo e pijeve të gazuara. Kryetari dëshiron të ndalojë përdorimin e tepruar të tyre që i kanë bërë obezë më shumë se një të tretën e njujorkezëve. “Për shumë kohë departamentet e ministrisë, e Institutit të Shëndetit Publik janë shqetësuar për të kontrolluar përhapjen e sëmundjeve dhe epidemive, në vend që të kujdeseshin për shëndetin e qytetarëve. Por njeriu i vërtetë pas këtij revolucioni, është Thomas Farley, mjeku-maratonist që Bloomberg thirri nga Nju Orlins për t’u kujdesur për shëndetin e qytetarëve”, shkruan Lancet. E në fakt, formula funksionoi. Me një mesatare prej 80.4 vjetësh, Nju Jorku ka arritur edhe Kaliforninë, e treta në klasifikimin e shteteve amerikane ku njerëzit jetojnë më gjatë. Para tyre janë vetëm ishujt Havai, me një mesatare 81.5 vjeç. Pas nuk ngelet edhe Minesota: vendi i pyjeve në kufi me Kanadanë, ku një pjesë e madhe e popullsisë është me origjinë skandinave dhe gjermane. Njerëzit dallohen për zakonet e shëndetshme të të jetuarit dhe numrin e madh të të moshuarve. “Departamenti i shëndetit publik në Nju Jork e ka bërë të detyrueshme shënimin e kalorive për ushqimet e shitura nëpër fast-food-e, po ashtu ka ndaluar ushqimet transgjenike”, shkruan më tej “Lancet”. E nuk mund të harrojmë përdorimin e kripës, për të cilën Bloomberg po lufton fort. Kripa konsiderohet një nga armiqtë kryesorë të shëndetit të lidhura me shumë sëmundje, dhe amerikanët më mirë se kushdo tjetër e dinë këtë. Por përveç fushatave informuesve dhe të vazhdueshme për të luftuar obezitetin dhe për të promovuar një jetë të shëndetshme, duhen përmendur absolutisht pistat e mëdha për të pedaluar. Biçikletat, tashmë, falë edhe infrastrukturës përdoren nga një pjesë e mirë e amerikanëve. E në fakt është qyteti në Amerikë me numrin më të madh të biçikletave.

Top Channel