Malaj: Qeveria po keqorienton ekonominë

19/07/2012 00:00

Ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj thotë se qeveria po
keqorienton ekonominë, duke marrë si shembull qëndrimin e dyfishtë të
Ministrisë së Financave, ku nga njëra anë pengon ndërtimin e linjës me
Kosovën dhe nga ana tjetër përshpejton procedurat për Lotarinë.

“Në fushën e energjisë, ne duhet të ecim më shpejt sidomos në bërjen pjesë të vendit tonë të Interkonjeksionit me vendet fqinje dhe me rrjetin evropian. Në fushën e lojrave të fatit, duhet të ketë politika fiskale sa më penalizuese, që të zbehin interesin që lojërat e fatit të bëhen aktiviteti dominues në qeverinë shqiptare”, tha Malaj.

Ish-ministri tha Malaj i kërkon qeverisë të ndalë tenderin e Lotarisë Kombëtare deri në rishikimin e plotë të ligjeve për lojrat e fatit. Sipas tij ekonomia shqiptare është vënë në rrezikun e dominimit nga industria e bixhozit dhe sipas tij kjo nuk është koha më e mirë, për të dhënë licensën e Lotarisë Kombëtare.

“Nuk duhet të nxitohem për të bërë tendera për të shpallur fitues, të cilët rrisin praninë e lojrave të fatit në ekonominë shqiptare. Duhet riparë gjithë kuadri ligjor për lojrat e fatit në Shqipëri, pasi janë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme, janë rritur probleme sociale në familjen shqiptare dhe kostot, që ne po paguajmë nga çdo lloj strategjie për të rritur praninë e lojrave të fatit në ekonominë shqiptare, do të jenë gjithnjë e më të rënda”, tha Malaj.

Ministria e Financave ka bllokuar ndërtimin e linjës energjetike me Kosovën, duke e justifikuar atë me faktin se kostoja ishte 8 milionë euro më e lartë, ndërkohë që po shet licencën e Lotarisë Kombëtare me një çmim simbolik prej 3.5 milionë euro, kur vlerësimet ishin se mund të arkëtonte dhjetëra herë më shumë.

Top Channel