
Pas Ibrahimovic dhe Thiago Silva, kampionati italian i futbollit mund të privohet edhe nga një prej yjeve të tij të paktë të mbetur.
Sipas asaj që shkruante të martën “La Gazzetta dello Sport”, Sneijder mund të mos jetë më në planet e ardhshme të Interit, duke lehtësuar kështu një transferim të tij të mundshëm në Premier League, Bundesligë apo tek Paris SG, që po vëzhgon situatën.
Përsa i përket merkatos së Interit, ende mungojnë piketimet e rëndësishme dhe aktualisht, zikaltërit po përpiqen të largojnë, përpara se të përqendrohen në afrime të reja.
Me blerjen e Handanovic, portieri Julio Cesar është drejt largimit, ashtu si Maicon dhe Pazzini.
Ndërsa tek Milani, pas transferimit të dy yjeve kryesore të skuadrës, drejt ikjes duket se është edhe braziliani Robinho, për të cilin Santos ofron pesë milionë euro, plus kartonin e portierit Rafael, për të cilin kuqezinjtë kanë shfaqur interes. Ndonëse oferta nuk është marramendëse, largimi i Robinhos do të ndihmonte 18 herë kampionët e Italisë që të kursenin rreth 20 milionë euro të tjerë, nga paga prej gjashtë milionë eurosh e sulmuesit plus bonuse, për tre sezonet e ardhshme.
Tek Juventusi, situata paraqitet e ngjashme, me klubin torinez që gjithashtu po përpiqet të gjejë një sistemim për lojtarët e mbetur jashtë projektit, si Krasic, Iaquinta dhe njërin midis Quagliarella e Matri.
Top Channel