Komisioni Parlamentar i Ligjeve nuk e nisi dot shqyrtimin e projekt/ligjit për Gjykaten e Lartë. Socialistët kërkuan kohë për ta studiuar atë, një sërë dokumentash mbi ecurinë e konsultimeve për këtë projekt/ligj me Euralius, si dhe seancë dëgjimore me kryetaren e Gjykatës së Lartë.

Por çështja ‘kohë’ ishte ajo që hapi dhe mbylli debatin një orësh në Komisionin e Ligjeve, pasi demokratët, duke sjellë në vëmendje se  ky është një projekt/ligj që ka lidhje me vënien në funksionim të Gjykatës Administrative në janar dhe me vendimin për statusin në tetor, e konsideruan si justifikim për ta shtyrë diskutimin sesionin e ardhshëm.

Por socialistët e cilësuan si keqdashës këtë interpretim.

Ilir Rusmali, kryetar i Komisionit të Ligjeve: Pra momenti i përshtatshëm për ju mund të jetë pas muajit tetor, pas muajit shtator. Nëse ky do të ishte momenti i përshtatshëm une nuk do të pajtohesha dot, sepse për të gjithë shqiptarët ky është moment i papërshtatshëm.

Fatmir Xhafaj, nënkryetari i Komisionit të Ligjeve: Unë nuk ju thashë ju se meqë është vonuar tej afatit, ju nuk doni integrimin, s’e nuk kam mendjen e ligë për ta bërë këtë gjë. Nuk janë serioze të gjitha këto aludime të pavenda, të padrejta.

Nëpërmjet 13 amendamteve të rëna dakord mes qeverisë dhe misionit të Bashkimit Europian, Euralius, projekt/ligji për Gjykatën e Lartë sjell tre risi. Disa prej neneve  kanë të bëjnë direkt me  Gjykatën Administrative, duke përcaktuar shtimin me 2 anëtarë të Gjykatës së Larte dhe mënyrën e  organizimit të gjykimit.

Pjesa tjetër prek procedurën për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, kur percakton se përpara dekretimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, presidenti duhet të konsultohet me parlamentin. Një cështje kjo që ka hapur debate të forta vitet e fundit, vecanërisht gjatë presidencës Topi.

Por përvec elementit kohë, socialistët duken se kanë rezerva edhe për përmbajtjen, pasi ndryshimet nuk vijnë vetëm si plotësime për Gjykatën Administrative, por si reformë në Gjykatën e Lartë, gjë që qeveria e ka pranuar si të tillë.

Ilir Rusmali: Angazhimi duhet te ishte që ky ligj të ishte miratuar pa mbaruar ky session, përndyshe ky sesion mbyllet dhe ju e keni vrarë këtë kohë. Pastaj vrisni dhe shtatorin me ca debate të kota dhe ndoshta edhe vitin e ri me faktin se doni të lexoni se s’keni patur kohë të lexoni. Pra sot ne jemi në përgjigje të kërkesës suaj. Sapo e keni parë që kemi plotësuar kërkesën ju doni kohë!

Fatmir Xhafaj: Nuk bëhet fjalë për 2-3 amendamente që kanë të bëjnë thjesht me Kolegjin Adminsitrativ , por bëhet fjalë për një reformë të Gjykatës së lartë, ose së paku synimi është kështu. Se çfarë keni bërë ju, kjo është një gjë tjetër. Ne nuk mund të vijmë në mëngjes dhe ju të na thoni se duhet kështu dhe e ta bëjmë. Kjo nuk bëhet kështu.

Të mërkurën Komisioni i Ligjeve do të thërrasë në seancë dëgjimore kryetaren e Gjykatës së Lartë, por edhe kjo është e pasigurtë, për shkak të kohës që zonja Becaj mund të ketë në dispozicion.

Deri tani dihet që kryetarja e Gjykatës së Lartë ka kundërshtime për projekt/ligjin, megjithëse sipas Ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, vetëm pak kërkesa nuk i janë marrë parasysh në draftin përfundimtar.

“Nuk janë pranuar kërkesa që kanë të bëjnë me shtimin e ndihmesave, me rritjen e pagës së kryetarit të Gjykatës së Lartë apo me marrjen e mendimit të kryetarit të Gjykatës e Lartë  para se presidenti të çojë dekretet në parlament”, tha Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi.

Ky projekt/ligj, ashtu si edhe projekt/ligji për Konferencën Gjyqësore që është në rendin e ditës së punës së Komisionit të Ligjeve, janë ligje me 3/5-at, që do të thotë se nuk mund të kalojnë në parlament pa konsensus.

Top Channel