Levan-Vlorë, kredi 3 milionë euro

11/07/2012 00:00

Pasi mori 7.5 milionë euro borxh nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, qeveria ka miratuar një tjetër kredi në masën 3 milionë eurove, të cilat do të përdoren për financimin e kostos shtesë në rrugën Levan-Vlorë.

Me këtë rast, kryeministri reagoi për herë të parë publikisht mbi akuzat e opozitës për aferë korruptive, duke e ftuar atë të hetojë.

“Opozita ka detyrë të vijë të shohë nëse u rrit apo jo kostoja e urës mbi Vjosë, të kontrollojë nëse ka apo jo një gabim material në preventivin e rrugës dhe e gjithë kostoja në tërësi. Sigurisht që është e kushtueshme, por dua t’i garantoj qytetarët shqiptarë se kjo bankë nuk do të pranonte kurrë të lëshonte edhe një euro më shumë nëse nuk do të kishte transparencën më të plotë të domosdoshmërisë së financimit shtesë”, deklaroi Berisha.

Paketa shtesë e financimit të rrugës Levan-Vlorë e çon koston e saj nga 42 milionë në 60 milionë euro, me një rritje prej rreth 43 për qind.

Nga këto 10 milionë euro do të merren kredi me interesa tregu dhe të ndryshueshme, ndërsa pjesa tjetër do të financohet nga vetë buxheti i qeverisë.

Në komisionet parlamentare opozita e denoncoi rritjen e kostos si një veprim korruptiv, nga i cili kanë përfituar njerëz të afërt me pushtetin.

Veç marrëveshjes së kredisë, në mbledhjen e radhës qeveria miratoi edhe vendimin për rritjen e pagës minimale mujore nga 20 në 21 mijë lekë.

Rama: Deri në fund transparencës

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, përmes rrjetit social Twitter ka ritheksuar edhe një herë vendosmërinë e PS për t’i shkuar deri në fund transparencës për ato që ai i quan “vjedhje me vendim qeverie”.

Dhe në këtë rast, lideri i opozitës shkruan se këto akte do të prapësohen. Sipas tij, opozita nuk është kundër investimeve por kundër grabitjes së pasurive publike nga qeveria e që i shkojnë njerëzve pranë saj.

Të njëjtin qëndrim zoti Rama tregon edhe për ndërtimin e rrugëve, një domosdoshmëri që sipas tij përdoret nga shtetarët për të bërë një batërdi korruptive.

Top Channel