Të paktën gjashtë persona janë vrarë në një atentat vetëvrasës në akademinë e policisë në kryeqytetin e Jemenit, Sana, kanë bërë të ditur autoritetet lokale.
Burime policore deklaruan se atentatori hodhi veten në erë kur ndodhej mes një turme kadetësh, të cilët po linin ambjentet e akademisë pasi kishin mbaruar mësimin.
Raportet paraprake flisnin për 20 të vdekur, por më vonë bilanci i viktimave u reduktua. Militantët islamikë kanë bërë thirrje për një valë atentatesh, si kundërsulm ndaj ofensivave të ushtrisë në bastionet e tyre.
Në maj, mbi 90 ushtarë u vranë kur një atentator vetëvrasës, i veshur me uniformë ushtarake, u hodh në erë gjatë një parade në Sana.
Ansar al Sharia, një degë e Al Kaedës në Gadishullin Arabik, deklaroi se kishte organizuar sulmin, më i rëndi që regjistrohej në vend që kur presidenti i ri Abdrabuh Mansour Hadi mori detyrën në muajin shkurt.
Grupi terrorist përfitoi nga mungesa e stabilitetit pas protestave popullore, që detyruan presidentin e mëparshëm Ali Abdullah Saleh që të largohej pas 32 vitesh në pushtet.
Pasi u bë president, zoti Hadi deklaroi se një nga detyrat kryesore të tij ishte vazhdimi i luftës ndaj Al Kaedës dhe udhëzoi ushtrinë që të rimerrte nën kontroll qytete të shumta në provincën jugore të Abjanit.
Top Channel