Komiteti i pestë ndërparlamentar BE-Shqipëri, që po zhvillohet në Bruksel, u çel me atë që Eduard Kukan e cilësoi si «nxehje» e debatit. Kreu i delegacionit europarlamentar për Ballkanin bëri konstatimet dhe thirrjen e radhës për klasën politike shqiptare.

Eduard Kukan, Kreu i delegacionit për Ballkanin në PE:

“Në këtë fazë kam kurajon të them se e njohim njëri-tjetrin, e madje e njohim mjaft mirë. Ne u familjarizuam me skenën politike në Shqipëri, veçantitë e saj, sukseset dhe dështimet. Ne i njohim udhëheqësit tuaj dhe aftësitë e tyre. 100 vjetori i pavarësisë tuaj po afrohet dhe në këtu në Bruksel duam me të vërtetë shumë të kontribuojmë në këtë ngjarje, por  për këtë na duhet të na ftoni me një një mesazh shumë të shkurtër telegrafik ku të shkruhet: 12 prioritetet u përmbushën”.

Pas një prezantimi të gjatë nga Ministrja e Integrimit, të përmbushjes sipas saj të prioriteteve të ndryshme, Komisioni Europian kërkoi sërish rezultate konkrete në pak javët që kanë mbetur para publikimit të raporit të progresit në tetor.

Majlinda Bregu, Ministre e Integrimit :

“Ne besojmë fort se përparimi ynë drejt përmbushjes së 12 prioriteteve kyçe të Opinionit të fundit të Komisionit, kërkon përpjekje të vërteta kombëtare : nga qeveria, opozita, institucionet e përforcimit të ligjit, nga gjyqësori, qytetarët dhe nga organizatat e shoqërisë civile. Por në fund, ne nuk mund t’ia arrijmë nëse ju nuk besoni dhe nuk na ndihmoni me këtë”.

Stefano Sanino, Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorin e Zgjerimit, KE :

“Më 3 maj, në Parlamentin Shqiptar, Komisioneri Fyle tha se nuk ka vend për vetëkënaqësi dhe as kohë për të humbur, pasi megjithë progresin mbetet ende shumë punë për t’u bërë dhe duhën arritur rezultate konkrete. Qëllimi juaj i deklaruar është statusi kandidat dhe kjo kërkon përpjekje të mëdha të cilat duhet të bindin jo vetëm institucionet europiane, Komisionin dhe Parlamentin, por edhe vendet anëtare që në fund janë përgjegjëse për vendimin përfundimtar”.

I pranishëm në takim ishte edhe Drejtori për Ballkanin në Shërbimin e Jashtëm të BE-së, i cili kujtoi se vendet anëtare do të shqyrtojnë më shumë vëmendje rekomandimet e Komisionit për Shqipërinë në këshillin e dhjetorit.

Jonnas Jonson, Drejtor për Ballkanin në Shërbimin e Jashtëm të BE, EEAS :

“Për Këshillin, siç është thënë disa herë edhe në konkluzionet e vendeve anëtare, është e një rëndësie të stërmadhe që vëmendje politike t’i jepet edhe pjesës tjetër të prioriteteve kyçe të përcaktuara në Opinionin e vitit 2010, dhe vendet anëtare do të shqyrtojnë sërish, më shumë vëmendje rekomandimet e Komisionit në kuadër të Këshillit të dhjetorit. Më lini gjithashtu të theksoj se nuk ka kohë për të humbur dhe se ne presim rezultate konkrete që do t’ju çonin më afër qëllimit tuaj kombëtar”.

Ndërsa lajmi se reforma zgjedhore është afër fundit u prit me shumë kujdes, debatet e parlamentarëve shqiptarë dhe atyre europianë, gjatë dy ditëve në Bruksel vijojnë për reformën parlamentare, për ekonominë, gyqësorin, të drejtat e njeriut dhe lirinë e shtypit.

 

Pergatiti: Arta Tozaj

Top Channel