Politika në provimin e radhës

10/07/2012 00:00

Në mbledhjen e pestë të Komitetit të Stabilizim Asociimit që do të
zhvillohet të mërkurën në Bruksel, klasa politike shqiptare vendoset
përballë një tjetër testi europian.

Bashkëkryetari këtij Komiteti Fatos Beja dhe nënkryetarja e Komitetit Valentina Leskaj pohojnë, se synimi i tyre në këtë takim është çuarja përpara e proceseve integruese drejt BE-së.

“Ne do të përcjellim aty gjendjen reale të gjerave, realizimin e prioriteteve që janë përcaktuar në mënyrë që në shkëmbimin e mendimeve parlamentarët e Europës dhe përfaqësuesit e Komisionit të krijojnë bindjen që gjërat në Shqipëri kanë ndryshuar. Është shkëmbim mendimesh dhe në këtë shkëmbim mendimesh do të paraqesim atë situatë që ekziston realisht në Shqipëri në të gjitha drejtimet në reformat, në realizimin e përparësive dhe në mënyrë të veçantë në realizimin e kërkesave të marrveshjes së MSA-së”, tha Beja.

“Ne shkojmë me synimin për të kontribuar pozitivisht që Shqipëria të marrë statusin e vëndit kandidat dhe unë besoj që ne si opozitë duhet të ndjehemi mirë për atë që kemi bërë përsa i përket marrjes së statusit të vendit kandidat. Nëse në 12 prioritetet katër lidhen me opozitën do të thosha që janë të vetmet 4 prioritetet të cilat janë të adresuara ose pjesërisht të zgjidhura”, tha Leskaj.

Në katër mbledhjet e shkuara mospasja e një konsensusi mes anëtarëve të maxhorancës dhe opozitës në tre raste çoi në mosmiratimin e një deklarate përfundimtare. A do të arrihet dakortësia në këtë mbledhje të pestë për të miratuar deklaratën në përfundim të takimit?

“Shpresoj që kësaj here të kemi një deklaratë të përbashkët e cila në gjykimin tonë si delegacion i PS e vë theksin aty ku janë plagët e Shqipërisë dhe aty ku mbeten ato që ata i quajnë le të themi probleme që duhen adresuar besoj në mënyrë urgjente nga maxhoranca për t’i realizuar.Janë çështje që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë përfshirë në mënyrë të drejtë dhe kredibël edhe zbardhjen e 21 janarit, ato që lidhen me kriminalitetin, me korrupsionin dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me administratën publike dhe të drejtat e njeriut”, tha Leskaj.

“Unë besoj që do të miratohet por kjo është një draftdeklaratë, ka gjithmonë një pritshmëri të amendamenteve që mund të bëhen. Kemi detyrimin si komitet të shprehemi për shkallën e realizimit të MSA-së, aty jemi shumë mirë dhe unë kam bërë një amendament për këtë punë. Për të vënë në dukje që gjatë 7 muajve nga takimi ynë i fundit i dhjetorit ka një rritje të ndryshme të ligjeve të miratuara të përafruara me legjislacionin europian”, tha Beja.

Top Channel