Kur imuniteti i politikanëve dhe gjyqtarëve është rikthyer sërish në
vëmendjen e politikës, prokurorja e Përgjithshme Ina Rama këmbëngul
sërish për heqjen apo kufizimin e imunitetit të të gjithë këtyre personave, në mënyrë që
prokurorët të lihen të lirë për të hetuar.

E pyetur nga Top Channel për këtë çështje, prokurorja e Përgjithshme deklaroi se Prokurorise duhet t’i lihet terren te pakten per te kryer veprimet e nevojshme hetimore.

“Përsa i përket imunitetit të gjyqtarëve ne vazhdimisht kemi dhënë mendimin tonë, kemi qenë pro heqjes, po ndoshta të paktën minimalisht pro kufizimit të imunitetit, deri në nivelin që Prokurorisë t’i lejohet të bëjë hetimet e duhura, të nevojshme për të ngritur akuza konkrete sipas rastit”, tha Rama.

Top Channel: Politika ka ngritur sërish debatin për çështjen e imuniteteve edhe për politikanët. Cili është qëndrimi i Prokurorisë së Përgjithshme?

Ina Rama: Eshtë i njëjtë, si për ato të gjyqtarëve. Ne jemi shprehur vazhdimisht pro heqjes së imunitetit, por në çdo rast kemi thënë që të paktën nga këndvështrimi jonë, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ose Prokuroria, si institucion duhet të jetë i lirë të ketë të gjitha mundësitë ligjore të hetojë. Ndoshta imuniteti të mund të jetë një mbrojtje që do të shtrohet në momentin, kur formalisht ngrihet një akuzë dhe ky ka qenë një propozim që ne kemi bërë. Gjithmonë kemi thënë që jemi pro heqjes së imunitetit.

Top Channel: A e ka penguar Prokurorinë e Përgjithshme hetimi i personave me imunitet, veçanërisht politikanët?

Ina Rama: Eshtë një cështje shumë e gjerë, shumë e diskutuar. Ne kemi mbajtur vazhdimisht qëndrim. Nuk besoj se brenda një interviste të kësaj natyre mund të jap një përgjigje.

Top Channel