Tiranë, rritja e çmimit të biletave

09/07/2012 00:00

Kërkesa e Shoqatës së Transportit Publik drejtuar Bashkisë së Tiranës  për rritje të çmimit të biletës nga 30 në 50 lekë, ka shkaktuar reagimin e opozitës.

“Nga kjo gjë preken të gjithë qytetarët dhe për më tepër studentët. Nëse bëjmë një llogaritje, një të riu sot do t’i duhet vetëm për ndjekur leksionet dhe të rikthehet në shtëpi 100 lekë. Kjo është thjesht e papërballueshme. Gjatë gjithë fushatës ne kemi dëgjuar kryebashkiakun që premtonte mrekulli nga më të ndryshmet për studentët. Ai premtoi kartën e studentit, shpërndau disa të tilla, por ne ende sot e shikojmë të parealizuar”, thotë Jozela Koka, nënkryetare e FRESSH.

Këshilltarët socialistë në bashki i bëjnë thirrje drejtuesve të bashkisë të tregojnë kujdes pasi rritja e çmimit të biletës do të rëndojë xhepat e qytetarëve, aq më tepër kur po përballen me krizën ekonomike.

“Një rritje e çmimit të biletave është e papërballueshme dhe do të ndikonte në vështirësi edhe më të mëdha, në jetesën e përditëshme të qytetarëve të thjeshtë e të kategorive që sot janë në gjendjen e varfërisë së skajshme. Ne si këshilltarë të opozitës kërkojmë që Bashkia e Tiranës të shprehet në lidhje me këtë tentativë që do të rëndojë drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve. Çdo veprim që bie ndesh me interesin qytetar do të marrë si përgjigje kundërshtimin tonë të plotë dhe mospranimin e nismave që janë në dëm të komunitetit të kryeqytetit. E themi këtë sepse Bashkia e Tiranës është kthyer në një institucion të mbyllur, jo transparent që vetëm hesht, pavarësisht disa skandaleve të njëpasnjëshme që i kanë paguar qytetarët e thjeshtë”, tha kreu i këshilltarëve të opozitës në Bashki, Aldrin Dalipi.

Dalipi ka përmendur rastet e denoncimit për rritjen e taksave vendore për tregtarët, futjen e taksës së pastrimti në faturën e ujësjellësit, dëmtimin e Parkut Kombëtar apo dhe tenderin për sistemin GIS që ishte blerë nga administrata e mëparshme për të cilën bashkia nuk ka dhënë asnjë përgjigje.

Top Channel