Tiranë, mblidhen “Fqinjët e Shqipërisë”

09/07/2012 09:45

Po zhvillohet në Tiranë konferenca ndërkombëtare “Fqinjët e Shqipërisë”, ku temë e bisedimeve është bashkëpunimi ndërfqinjësor.

Kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij, ka vlerësuar se shqiptarët, 20 vjet pas rënies së diktaturës më të egër, kanë arritur objektiva të rëndësishëm.

“Në këto 10 vjet shqiptarët kanë bërë arritjet më të mëdha historike të tyre. A janë shqiptarët një komb i ndarë? A duhet të punojnë ata për të ulur ndasitë e tyre? Kjo është e domosdoshme. Rëndësi të jashtëzakonshme ka bashkëpunimi kulturor”, ka deklaruar Berisha.

“Shqiptarët janë një komb që në një shekull ka përjetuar padrejtësitë më të mëdha, ku kanë vepruar diktaturat më të egra në historinë e njerëzimit”, ka vijuar kryeministri.

Ai ka shprehur më tej gatishmërinë e qeverisë së tij për të bashkëpunuar sa më shumë me fqinjët, me qëllim përforcimin e integrimit rajonal dhe atij evropian.

Para kryeministrit ka folur edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili ka nënvizuar se bashkëpunimi ndërfqinjësor duhet të realizohet edhe përmes bashkëpunimit ekonomik.

Top Channel