Gjoba ndaj ACR-së, PS, letër Haxhinastos

09/07/2012 00:00

Në emër të grupit parlamentar të opozitës deputeti Saimir Tahiri i ka
dërguar një letër ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës
Edmond Haxhinasto ku kërkohet informacion nëse gjoba prej 1.639.163 Euro
është paguar nga ACR.

Deputeti Tahiri i kujton ministrit Haxhinasto se si sot 3 vjet më parë,  Ministri Ruli nënshkroi një marrëveshje me Kompaninë ACR me objekt rishpërndarjen kohore të shlyerjes së kësaj gjobe nga  ACR.

Ndërsa  në datë 08.07.2009, ACR kërkoi nga Ministri Ruli shtyrjen e shlyerjes së gjobës, gjë që u formalizua në marrëveshjen e nënshkruar vetëm një ditë më pas ndërmjet Ministrit Ruli dhe kompanisë ACR.

Përsa mësipër deputeti Tahiri ka formuluar katër pyetje që presin përgjigje nga Ministria e zotit Haxhinasto, nëse kjo gjobë është shlyer nga ACR, nëse jo cilat janë arsyet, a janë përmbushur detyrimet për investime në ngarkim të ACR-së në përputhje me kushtet dhe afatet e parashikuara nga marrëveshja koncesionare dhe sa është totali investimeve të realizuara nga koncesionari deri më sot, në zbatim të marrëveshjes koncesionare të Bulqizës?

Partia Socialiste ka rikujtuar ngjarjet tragjike të ndodhura në këtë minierë me humbjen e jetëve të minatorëve. Deputeti Tahiri nëpërmjet kësaj letre rithekson se pasuria minerare vazhdon të shfrytëzohet pa asnjë kriter.Paligjshmëria dhe bandat mafioze kanë pushtuar Bulqizën dhe zonat minerare, të gjitha këto nën hundën e shtetit që janë të implikuara thellësisht në veprimtari kriminale.

Top Channel