Topalli vizitë në Slloveni

08/07/2012 00:00

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila gjendet për një vizitë zyrtare në Slloveni, i shprehu homologut të saj slloven Gregor Virant mirënjohjen e Shqipërisë për mbështetjen që Sllovenia i ka dhënë ndër vite vendit tonë.

Në mënyrë të vecantë, zonja Topalli theksoi angazhimin e fortë të qeverisë sllovene në heqjen e vizave për shqiptarët në hapësirën Shengen.  

Kryetari i Parlamentit slloven i rikonfirmoi Kryetares së Kuvendit mbështetjen e palëkundur të Sllovenisë për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian duke shprehur optimizmin e tij për marrjen e statusit kandidat brenda këtij viti.

“Ne kemi parë përparimin e Shqipërisë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian dhe vlerësojmë vendosmërinë për të realizuar të gjitha kërkesat e Komisionit Europian”, tha kryetari i parlamentit slloven.

Kryetarja e Kuvendit njohu Kryetarin e Parlamentit të Sllovenisë me angazhimin e Shqipërisë për të çuar përpara reformat e integrimit dhe për të bërë çdo gjë që vendi të meritojë statusin e vendit kandidat, për të hapur kështu një perspektivë të re për objektivin kombëtar, integrimin në Bashkimin Europian.  

Top Channel