Qeveria e Kosovës e ka shitur të gjithë rrjetin e energjisë elektrike pa e pasur të qartë mënyrën e funksionimit në veriun e vendit, këtu ku humbjet teknike dhe komerciale  shkojnë në miliona euro.

Ministri i zhvillimit ekonomik Besim Beqaj në një debat publik me pjestarë të  shoqërisë civile, ku prezent ishte edhe  fituesi i tenderit, pranoi se veriu është problem politik dhe një kontratë privatizimi nuk e zgjidhë atë.

“Qeveria ka marrë një vendim për shitjen e tërë rrjetit të distribucionit, pa dallim a është ajo enklavë a është ajo në veri është problem politik i cili don trajtim dhe do të ketë trajtim konform zhvillimeve politike në vend, do të ishte jo e sinqert e pandershme por jo profesionale, është një problem të cilën duhet ta trajtojmë bashkë në nivel shteti, nuk është kjo cështje e nje kontrate as e nje investitori, as e nje ministri , por është cështje shtetërore”, tha Beqaj.
 
“Nuk ka infrastrukturë të matësave (sahateve) të  avancuar për të luftuar vjedhjen e energjisë elektrike dhe kjo vjen për shkak të paqëndrueshmërisë politike në veriun e Mitrovicës. Ne do të mundohemi që të krijojmë zgjidhje efektive për Mitrovicën, do të sajojmë pika për instalimin e njësorëve të rinj dhe do të zgjerojmë projektin në tërësi. Kemi pritje nga KEK-u po kështu edhe nga qeveria e Kosovës e cila duhet t’i mbështesë operacionet e konsorciumit për gjetjen e zgjidhjes në Mitrovicë, të krijojë mundësi  që konsorsiumi ynë të mund të bëjë një komunikim të fuqishëm dhe efektiv me qytetarët në këtë zonë dhe të mbështeten projektet e përgjegjësisë sociale të konsorciumit në Kosovë”, tha Sernat Can, përfaqësuesi i Konsorciumit “Calik Holding & Limak Holding”.

Si pasojë e zhvillimeve të së enjtes në Kuvend, kur nuk u votua pro ndalimit të procesit të privatizimit, ky takim nuk shkoi sipas planit.
 
Një kundërmim i rëndë filloi të ndjehej në sallë dhe pjesëmarrësit u detyruan t’a braktisin takimin në fillim të tij.
 
Përfaqësuesit e qeverisë fajësuan dy deputetë të lëvizjes Vetëvendosje. Ndërkohë që ishte vetë kjo lëvizje e cila më vonë njoftoi se në këtë mënyrë kishin penguar zhvillimin e takimit nëpërmjet bombolave kundërmuese.

Qëllimi ishte të protestonin edhe njëherë kundër këtij privatizimi që sipas Vetëvendosjes po bëhet vetëm për interesa private, ndaj këtij privatizimi po i vjen një erë e padurueshme.
 
Sidoqoftë, takimi vazhdoi edhe për dy orë të tjera. Pjesëmarrësit diskutuan cështjen e tarifave në të ardhmen, investimet kapitale në zëvendësimin e rrjetit të cilat do t’i bëjë konsorciumi si dhe kontratat e punëtorëve për të cilat u tha punëtorët nuk do të largohen nga vendi i  punës vetëm nëse tregohet përformancë e dobët në punë.
 

Top Channel