Taksat për kompaninë e lotarisë

04/07/2012 00:00

Pretendimet e qeverisë se cmimin e ulët më të cilin po shet Lotarinë Kombëtare do ta kompensojë përmes taksave të lartë mbi kompaninë fituese vihen seriozisht në dyshim nëse krahasohen me barrën fiskale mbi lojrat e fatit në vendet e tjera.

Qeveria thotë se përvec taksave të zakonshme kompania që do fitojë Lotarinë Kombëtare do të paguajë dhe një tatim shtesë mbi xhiron prej 10 përqindësh. Por si taksohet ky aktivitet në vendet e tjera? Qeveria e Irlandës e cila po planifikon të hedhë në tender licencën e Lotarisë Kombëtare ka vendosur paraprakisht se fituesi do të paguajë në shtet 30 përqind. Në Afrikën e Jugut, kompania që ka licencën e Lotarisë Kombëtare paguan 35 përqind, ndërsa në Austri shifra është 15 përqind dhe madje licenca është monopol shtetëror i dhënë tek privati vetëm për administrim. Në Maltë që është një nga vendet, ku licenca sapo u tenderua, fituesi paguan në shtet 20 përqind taksë.

Krahasimet nxjerrin se Shqipëria po ofron privilegje për privatin që do fitojë Lotarinë Kombëtare jo vetëm tek barra fiskale por edhe cmimi i shitjes së licencës. Në Irlandë një shtet me 4.4 milionë banorë cmimi i shitjes së licencës paraprakisht po përflitet nga 400 deri në 600 milionë euro.

Qeveria greke po ashtu e shiti licencën për dhjetë vjetë me një cmim prej 400 milionë eurosh ndërsa në Turqi kompania fituese e pagoi licencën 2 miliardë euro. Për Maltën, një vend me rreth 400 mijë banorë, shifra me të cilën u shit e drejta e lotarisë tashmë është e njohur për publikun, rreth 39 milionë euro, ndërsa në Shqipëri një vend me 2.8 milionë banorë, sipas censusit të fundit, qeveria po e shet licencën me cmimin simbolik 3.5 milionë euro.

Top Channel