Dekanë dhe profesorë në universitete mendojnë se skema e pranimit të studentëve në universitetet publike duhet të ndryshojë, pasi nuk është eficente dhe ka probleme thelbësore me administrimin.

Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, një nga fakultetet më të rëndësishme përsa i përket specializimit të studentëve dhe kërkesave të vendit, tregon se 50 deri në 60 % e studentëve të vitit të parë rezultojnë mbetës në lëndët bazike, si fizik, kimi dhe biologji.

“Përsa u përket rezultateve në lëndët bazike që janë kimi, fizikë dhe biologji ngelin mbi 50 përqind, mbi 60 përqind e studentëve në vit të parë. E shikoj një proces tepër të shpërndarë mënyrën e testimit të nxënësve nëpërmjet Maturës Shtetërore. Duhet të gjenden mënyra më të efektshme kontrolli për t’i patur më të legjitimuara këto rezultate”, thotë dekani Bajram Hysa.

Në krahasim me disa vite më parë,  numri i  studentëve fitues në mjekësi është shumë i madh, nga gjimnaze periferike të vendit dhe jo nga gjimnazet me në zë të shumë qyteteve.

“Nga viti në vit, shikoj përsa i përket shpërndarjes gjeografike, nëse më përpara shumica vinin nga gjimnazet më prestigjoze të Tiranës, Fierit, Elbasanit, Gjirokastrës, Shkodrës, fakt është që ka një rritje të numrit të studentëve që na vijnë nga qytetet më periferike në raport me ato që kemi patur më përpara”, thotë dekani Hysa.

“Shitja masive e tezave, kopjet e zbuluara masivisht flasin qartë për një degradim që përsëri ka në themelin e vet epshin e përfitimeve në cdo fushë dhe për cdo gjë, edhe në arsim edhe për Maturën Shtetërore”, denoncon kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Çështja e rishikimit të skemës së Maturës Shtetërore e cila u konceptua si zgjidhje ndaj korrupsionit, nga ish-ministri i Arsimit Genc Pollo është prekur edhe nga kreu i opozitës Edi Rama, i cili është ndalur gjatë tek problemet e mëdha që kjo skemë po i shkakton arsimit. Zoti Rama deklaroi se programi i opozitës do të sjellë një ndryshim rrënjësor në këtë drejtim.

“Qysh në vitin 2008 kemi nënvizuar se Matura Shtetërore nuk mund të shërbejë më si një provim hyrës për në universitet, por vetëm si një provim dalës për të mos kompromentuar kështu edhe vetë Maturën Shtetërore por edhe procesin e hyrjeve në universitet”, deklaroi zoti Rama.

Top Channel