Konfliktet për pronën, sërish protesta te Unaza e Re

28/06/2012 00:00

Janë rikthyer edhe një herë protestat e banorëve të pallatit në zonën e
Unazës së Re, në kryeqytet, disa muaj pasi 6 gra në shenjë proteste u
ngjitën në tarracën e pallatit në ndërtim në këtë zonë, pasi nuk ishin
dakord me shkallën e kompensimit nga ana e pronarit të pallatit ndaj
tyre.

Mëngjesin e së enjtes, banorët e këtij pallati kanë dalë sërish në protestë në mënyrë më masive, duke u konfliktuar edhe me policinë.

Familjet që më parë kanë pasur shtëpitë në zonën ku tashmë është ndërtuar një pallat i ri janë në konflikt me ndërtuesin e pallatit, për të cilin thonë se ka shkelur kontratën e nënshkruar paraprakisht me ta. Banorët kanë tentuar të bllokojnë punimet e pallatit ende të papërfunduar dhe njëri prej tyre është lidhur me zinxhirë poshtë kamionit të firmës ndërtuese.

Gjithashtu, mësohet se banorët janë konfliktuar me policinë, e cila është përpjekur të vendosë rendin në zonën e Unazës së Re. Për shkak të rrëmujës së krijuar në rrugë, trafiku është rënduar shumë në këtë zonë për më tepër se 30 minuta, duke krijuar probleme dhe vonesa për drejtuesit e automjeteve.

Ndërkohë që pas ndërhyrjes së policisë është arritur të qetësohet disi situata dhe të zhbllokohet lëvizja e automjeteve.

Konflikti mes banorëve të shtëpive në truallin ku është ndërtuar tanimë një pallat ka nisur disa muaj më  parë, pasi ata kërkojnë respektimin e kontratës nga firmës kontraktuese, në bazë të së cilës kishin shembur shtëpitë e tyre për të ndërtuar pallatin.

Top Channel