KE: Problem borxhi dhe defiçiti

26/06/2012 00:00

Në vlerësimin e situatës ekonomike, Shqipëria vijon të shpalosë një pasqyrë me parashikime pozitive, megjithë ndërgjegjësimin për krizën përreth dhe brenda vendit. Ndërkohë, Komisioni Europian vijon të këmbëngulë tek shqetësimet kërcënuese të borxhit publik dhe defiçitit.

“Situata ekonomike në Shqipëri është pozitive kur shohim tendencën makro-ekonomike. Parashikimet për të ardhmen favorizojnë ruajtjen e një performance pozitive për periudhën 2012-2014. Konsumi dhe investimet private pritet të rriten dhe sigurisht janë marrë masa për të nxitur në këtë drejtim”, u shpreh Mimoza Halimi, ambasadore e Shqipërisë pranë BE-së.

Megjithatë, Vasilis Marangos, shefi i njesise per Shqiperine ne Komisionin Europian, u shpreh me doza të qarta skepticizmi: “Ekonomia vijon të shfaqë disa shenja dobësie. Mendoj se është shumë e rëndësishme të ruhet kuadri makro-ekonomik, në veçanti mbajtja nën kontroll e nivelit të borxhit publik dhe ajo e defiçitit. Aktualisht Banka Botërore po përpiqet të ndihmojë vendin që të ruajë të njëjtin nivel, për ta mbrojtur nga pasojat negative, si nga ato të jashtmet njësoj edhe nga dobësitë e brendshme. E njëra prej këtyre dobësive është papunësia e lartë; një tjetër dobësi është mungesa e reformave strukturore, problemet e disahershme me zbatueshmërinë e kontratave; disa dobësi në kuadrin e të drejtave të pronës. Një tjetër element që dua ta shtoj kur flasim për ekonominë është ndikimi i mundshëm mbi ekonominë i situatës politike që përmendëm më parë”.

Përveç pjesës politike dhe ekonomike, gjatë takimit përgatitor për Komitetin ndërparlamentar me Shqipërinë, Maragos renditi edhe arritjet pozitive apo ngecjet në kushtet e tjera të paplotësuara ende nga vendi, pjesë e 12 kritereve të famshme.

“Mund t’iu citoj si shembull bashkëpunimin shumë të mirë mes Avokatit të Popullit, i cili është një kampion i të drejtave të njeriut, përfshirë dhe të drejtat e të burgosurve, me Policinë e Shtetit, e cila ka krijuar një sistem shumë të mirë ndjekjeje të rekomandimeve nga Avokati i Popullit. Diçka e ngjashme u ngrit edhe me burgjet, por atje gjërat kanë ecur më ngadalë. Gjithsesi, ka probleme me zbatimin, përshembull në fushën e personave më aftësi të kufizuara. Nevojiten ende përpjekje në këtë fushë si dhe investim nga ana e autoriteteve. Një tjetër fushë shumë e ndjeshme ku nuk kemi parë të bëhet shumë është fusha e integrimit të romëve”, shtoi Marangos.

Megjithë punën e bërë që prej raport progresit të fundit, e kur ka mbetur pak kohë deri në raportin e radhës, Shqipëria rezulton të ketë përmbushur për momentin vetëm një kriter e gjysëm, nga 12 të përcaktuara që në nëntor të vitit 2010.

Top Channel